Hapet qendra ditore për të moshuarit në Zhelinë

Në komunën e Zhelinës është hapur Qendra Ditore për të Moshuarit, e cila do të ofrojë shërbime dhe aktivitete të ndryshme për qytetarët e moshës së tretë.

Kryetari i komunës, Blerim Sejdiu, tha se aktualisht objekti është në fazën e inventarizimit dhe pajisjes me mobilie, duke theksuar se shumë shpejt do të jetë plotësisht funksional.

Ndërsa ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, bëri të ditur se 24 të moshuar do të mund të shfrytëzojnë hapësirat e qendrës. Ai njoftoi se janë investuar 30 mijë euro për plotësimin dhe përmirësimin e kushteve në objekt, si dhe 90 mijë euro të tjera për ofrimin e shërbimeve gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Limani theksoi se qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i cilësisë së jetës së të moshuarve dhe krijimi i një ambienti social aktiv për ta në komunitet.