Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u panë më 16 tetor në rrugët e Mitrovicës së Veriut. Nga Policia e Kosovës thanë se FSK-ja qëndroi gabimisht në pjesën veriore të vendit.
“E humbën rrugën, navigacioni i GPS-së i çoi gabimisht në veri”, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, Policia e Kosovës i ka parë pjesëtarët e FSK-së, ka biseduar me ta dhe më pas ata janë larguar nga veriu.
Në rrjetet sociale janë publikuar video ku shihen disa kamionë të FSK-së duke kaluar përgjatë një rruge në qytetin e Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat në veri që janë të banuara me shumicë serbe.
Elshani tha për Radion Evropa e Lirë se sipas informacioneve të policisë, automjetet e FSK-së u parkuan në një pikë karburanti për “pesë deri në dhjetë minuta”. Më pas, të shoqëruar nga policia, FSK-ja u largua nga veriu përmes “rrugës më të shpejt”, duke kaluar pranë një stacioni të autobusëve në vendin e njohur si Shkëmbi i Dudës.
Prania e FSK-së në veri të vendit është e mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.
Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me pyetjet nëse është në dijeni që FSK-ja ka qëndruar në veri dhe përse, dhe është duke pritur përgjigje.
Përgjigje për këto pyetje, REL-i po pret edhe nga KFOR-i.
Ndryshe, për herë të fundit, me pëlqimin e KFOR-it, FSK-ja ishte në veri më 29 korrik të këtij viti, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një operacioni që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.
FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028./REL