Kurti thotë se ende s’ka nisur diskutime me partitë për formimin e ekzekutivit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk i ka nisur diskutimet me partitë tjera lidhur me formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Më 10 tetor, Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, është mandatuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për formimin e ekzekutivit të ri.

“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet t’i shohim kontributet që i kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por, po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se dhjetë ditë”, tha Kurti për mediat më 14 tetor kur u pyet nëse ka nisur diskutime me subjektet politike për qeverisjen qendrore.

Një ditë më parë Kurti paralajmëroi se diskutimet për Qeverinë e re të Kosovës do t’i nisë këtë javë.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për ta formuar vetë udhëheqjen e re.

Kurti ka afat që deri më 26 tetor të prezantojë para Kuvendit ekzekutivin e ri. Për zgjedhin e tij kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.

“Kosovës i duhet edhe një mandat i Qeverisë sonë, i duhet një mandat i ri i Qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e 9 shkurtit sivjet”, deklaroi Kurti gjatë një konference për media më 13 tetor.

Ai nuk deshi të japë hollësi se me cilat parti mund të diskutojë për ndonjë koalicion të mundshëm.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar ditë më parë se LVV-ja mund të diskutojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ndonjë koalicion të mundshëm, pasi Nisma Socialdemokrate nuk ka qenë e interesuar të përfshihet në qeverisje.

Ajo e ka përjashtuar ndonjë koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Njohësit e zhvillimeve politike i thanë Radios Evropa e Lirë se gara e partive politike për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale – që do të mbahet më 9 nëntor – mund t’i ndikojë negociatat për formimin e ekzekutivit të ri.

Nëse LVV-ja nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve për kabinetin e ri deri më 26 tetor, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit./REL