Lista Serbe pranon se inkurajoi ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës

Lista Serbe ka shpallur fitoren e saj të bindshme në zgjedhjet lokale të vitit 2025 në Kosovë, duke u shprehur në mënyrë të qartë se fitoret në komunat me shumicë serbe janë rezultat i unitetit dhe mbështetjes të fortë nga shteti i Serbisë.

Kryetari i Listës Serbe, Dr. Zlatan Elek, ka falënderuar qytetarët dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për mbështetje të vazhdueshme dhe ka inkurajuar përfshirjen e Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë, duke e konsideruar si një faktor të rëndësishëm për ruajtjen e interesave serbe në rajon.

“Kjo është para së gjithash fitore e popullit serb, fitore e unitetit dhe bashkimit serb, dhe fitore e gjithçkaje që është serbe në Kosovë e Metohi. Për këtë arsye shfrytëzoj këtë rast për t’i falënderuar presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili ka dhënë një mbështetje të madhe popullit serb, gjithashtu falënderim të madh i detyrohemi Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Zyrës për Kosovë e Metohi. Ndërsa falënderimin më të madh ia detyrojmë qytetarëve tanë – serbëve më të guximshëm që ekzistojnë në botë, të cilët patën forcë dhe guxim dhe në këtë numër kaq të madh dolën në zgjedhje dhe i sollën Listës Serbe një fitore bindëse,” ka thënë Elek në një deklaratë pas shpalljes së rezultateve preliminare.

Në fjalën e tij, Elek ka nënvizuar se ndërhyrja e Serbisë në procesin zgjedhor ka pasur një ndikim të madh dhe është një element thelbësor për ruajtjen e integritetit të komunitetit serb në Kosovë. Ai ka theksuar se mbështetja e shtetit serb dhe angazhimi i tij në procesin zgjedhor janë të rëndësishëm për forcimin e pozicionit të serbëve në Kosovë, veçanërisht në komunat veriore dhe ato me shumicë serbe.