Edhe pse miratimi i aktakuzës për tragjedinë në klubin “Pulse” në Koçan në shikim të parë duket si një hap drejt drejtësisë, analiza më e thellë ngre dyshime serioze se një aktakuzë e formuluar në këtë mënyrë, që përfshin një numër të madh personash, nuk është e mbështetur mjaftueshëm me prova për të gjithë, dhe rrezikon të shndërrohet në një proces gjyqësor të gjatë dhe rraskapitës, në vend që të sjellë drejtësi të vërtetë dhe të shpejtë për 62 viktimat.
Në opinion tashmë janë shfaqur pretendime për ekzistimin e bisedave telefonike deri më tani “të fshehura”, të cilat hedhin dritë tjetër mbi të gjithë rastin. Sipas këtyre pohimeve, në bisedat mes djalit të pronarit të “Pulse”-it dhe disa inspektorëve, janë përmendur ndikime dhe presione të mundshme me qëllim shmangien e kontrolleve, gjobave dhe verifikimeve të sigurisë së objektit.
Pas publikimit të videos së IRL për tragjedinë në Koçan, portali Plusinfo sot publikoi detaje të reja, duke pohuar se ka arritur të sigurojë pjesë të analizës së komunikimeve telefonike të cilat deri më tani kanë qenë të fshehura nga publiku. Në këto biseda, siç thuhet, përmenden emra të funksionarëve të lartë dhe personave policorë që nuk janë përfshirë në aktakuzën e paraqitur.
Sipas tekstit, “analiza e pjesëve të fshehura të komunikimeve telefonike tregon qartë manipulimin”. Autori i tekstit në Plusinfo e shtroi pyetjen kyçe: “Kush dhe si vendosi se cila pjesë do të publikohet, e cila do të fshihet?”.
“Pas një pune të keqe në hetim, për shkak të dobësive në aktakuzë, të cilat tani publikisht kritikohen edhe nga disa prej mbrojtësve të të akuzuarve (nesër pritet që edhe të tjerë ta ngrenë zërin), për shkak të pritjeve që edhe të afërmit e viktimave dhe të plagosurve të mos jenë të kënaqur me aktakuzën dhe me rrjedhën e procesit gjyqësor, Prokuroria e udhëhequr nga Lupço Kocevski tani përpiqet ta fitojë opinionin publik me “bomba” mediatike, madje edhe me përpjekje për të heshtur avokatët që guxojnë të flasin publikisht për mangësitë e “perlës” më të fundit të krijimtarisë së Lupço Kocevskit dhe ekipit të tij”, thotë Plus Info.
Në këtë mënyrë, në vend të drejtësisë së shpejtë dhe efikase, opinioni dhe familjet e viktimave mund të marrin vetëm edhe një proces tjetër maratonik gjyqësor, ndërsa ata që nga prapaskena kanë ushtruar presione dhe kanë lejuar që “Pulse” të funksionojë si një bombë me sahat, ndoshta kurrë nuk do të përballen me përgjegjësi.
Nga Prokuroria e pranojnë ekzistimin e këtyre bisedave, por thonë se “ato nuk mund të lidhen me veprën penale” për të cilën është ngritur aktakuza.
“Të gjitha provat e përmendura, Prokuroria i ka marrë parasysh dhe vepron mbi to duke bërë verifikime. Dëshmi se nuk ekziston asnjë qëllim për ta fshehur ose për ta lënë të pahetuar këtë aspekt është fakti që komunikimi i paraqitur është pjesë e raportit të analizës së komunikimeve telefonike, i cili në tërësi është dorëzuar në Gjykatë si pjesë e materialit të dëshmive për aktakuzën e paraqitur. Prokuroria apelon për përmbajtje nga publikimi i informacioneve të paverifikuara që mund të rrezikojnë procedurën e mëtejshme, si dhe procesin e vlerësimit të aktakuzës së dorëzuar”, thotë Prokuroria Publike.
Këto publikime të reja krijojnë përshtypjen se publiku po merr vetëm një pjesë të së vërtetës dhe se në vend të një pamjeje objektive ligjore, po krijohet një ndërtim politik. Komentet në opinion janë se qytetarët meritojnë qasje të plotë në të gjitha provat, e jo vetëm në materiale të publikuara në mënyrë selektive.
Me zbulimet e fundit të IRL dhe Plusinfo, gjithnjë e më qartë bëhet se rasti “Koçani” nuk është vetëm një histori juridike, por edhe thellësisht politike, e cila pritet që e vërteta e saj e plotë të dalë në pah gjatë procesit gjyqësor.