Ne paralajmërojmë një digjitalizim të plotë të Komunës për të çrrënjosur korrupsionin. Dokumenti më i shtrenjtë nuk është ai që paguhet, por ai që pritet. Ai për të cilin nuk dihet nëse do ta marrësh fare – thotë Sotir Lukrovski, kandidat për kryetar komune të Karposhit nga VMRO-DPMNE.
Në vitin 2025, shton ai, qytetari nuk duhet të qëndrojë në radhë vetëm për një vulë.
“Të kërkojë lidhje, në sportele, të lutet për të kryer punë.
Komuna nuk duhet të jetë më një ndërtesë ku hyn me nervozizëm dhe del pasi ke dhënë ryshfet.
Kjo praktikë, të dashur banorë të Karposhit, do të përfundojë.
Që nga dita e parë e drejtimit tim do ta çrrënjos pritjen, provizionet dhe ryshfetin, përmes digjitalizimit të plotë të të gjitha proceseve komunale.
Komuna duhet të bëhet një shërbim që e merr përmes telefonit, në çdo kohë dhe nga çdo vend. Nuk ka më kthim në sportel, nuk ka më ‘kjo nuk është puna jonë’.
Unë nuk do t’u kërkoj qytetarëve të vijnë tek unë, por komuna do të shkojë tek ata përmes teknologjisë.
Do të prezantoj një aplikacion, siç ka çdo komunë normale evropiane, përmes të cilit me vetëm dy klikime, me numrin personal dhe adresën, do të mund të bësh kërkesë, të marrësh një numër dhe në çdo kohë të ndjekësh statusin e saj.”
Kjo, siç shpjegon ai, ka ekzistuar prej kohësh në botë, por tek ne nuk zbatohet për arsye të njohura.
“Sepse kur ka radhë, nuk ka hapësirë për korrupsion.
Do të vendos një dritare për shërbime të shpejta, përmes së cilës qytetarët do t’i marrin menjëherë dokumentet e tyre, pa u varur nga disponimi apo vullneti i punonjësit të sportelit.
Procesi do të jetë i automatizuar dhe plotësisht transparent.
Qëllimi im është i thjeshtë: një aplikacion për të gjitha shërbimet komunale.
Por digjitalizimi nuk është vetëm ekran dhe aplikacione – ai duhet të sjellë disiplinë dhe përgjegjësi të brendshme.
Do të fusim ndjekjen e çdo kërkese. Kush e ka pranuar, kush e ka përpunuar dhe për sa kohë është përpunuar.
Çdokush që e kryen punën në kohë ose para afatit do të shpërblehet, ndërsa ai që e ngadalëson procesin do të sanksionohet.
Qytetari dhe unë do të marrim alarm kur një çështje të qëndrojë për shumë gjatë.”
Sipas tij, nuk do të ketë më përgjegjësi të fshehur.
“Gjithçka do të jetë e dukshme, e matshme dhe transparente.
Kështu funksionon sektori real nga ku vij.
Ashtu do të funksionojë edhe komuna e Karposhit.
Për ata që nuk kanë qasje në teknologji, do të vendos këshilltarë digjitalë në komunë – persona të trajnuar që do t’i ndihmojnë qytetarët të paraqesin kërkesat. Askush nuk do të përjashtohet.
Vizoni im është që Karposhi të mbetet një komunë pa justifikime dhe pa ryshfet. Kur qytetari mund ta zgjidhë problemin me dy klikime, atëherë do ta dimë se jetojmë në një komunë moderne, me administratë të ndershme.”