Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, më 15 tetor do të qëndrojë në Kosovë, në kuadër të një turneu kur do të vizitojë edhe shtetet e tjera të rajonit.
Sipas agjendës së publikuar nga Komisioni Evropian, në Kosovë ajo do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Në agjendën e publikuar nuk bëhet e ditur se për çfarë çështjesh do të diskutojë shefja e KE-së me Osmanin dhe Kurtin.
Turneun në Ballkanin Perëndimor shefja e krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian do ta nisë më 13 tetor në Tiranë, ku do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit për Investime BE-Ballkani Perëndimor.
Po më 13 tetor, Von der Leyen do të vizitojë edhe Tivatin e Malit të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Millatoviq dhe kryeministrin Millojko Spajiq.
Një ditë më pas, ajo do të qëndrojë në Bosnje e Hercegovinë ku do të takohet me anëtarët e Presidencës së vendit, me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto si dhe do të vizitojë Qendrën Memoriale për Srebrenicën.
Para qëndrimit në Kosovë, më 15 tetor Von der Leyen do të takohet në Beogradi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin Gjuro Macut.
Ndërkaq, pas qëndrimit në Kosovë ajo do të përmbyllë vizitën në rajon në Maqedoni të Veriut, ku do të takohet me presidenten maqedonase, Gordana Silanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
Herën e fundit që Von der Leyen kishte qëndruar në Kosovë ishte në tetor të vitit të kaluar, kur kishte folur për masat ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës. Që atëherë, blloku ka njoftuar se ka nisur heqjen e disa masave, që u vendosën më 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë asaj vizite, shefja e KE-së kishte lavdëruar Kosovën për punën që kishte bërë në agjendën e reformave për Planin e Rritjes të BE-së.
Megjithatë, Kosova nuk ka përfituar nga ky Plan, pasi për shkak të mungesës së krijimit të institucioneve deri më tani nuk janë miratuar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024-2027. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.
Plani synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë shtetet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim./REL