Fetai nga Haraçina: Sa herë që ka zgjedhje Beogradi po solidarizohet me BDI-në

Arben Fetai, njëri nga liderët e VEN në tubimin në Haraçinë tha sonte se po përballemi me opozitën më hipokrite duke përmendur së fundmi rastin në Kumanovë, ku ndodhi një tragjedi familjare e ku opozita e keqpërdori të njëjtën.

“Doli Arbër Ademi dhe foli për atentat politik, një manipulim i pastër. I bëj thirrje nga Haraçina, Arbër Ademit që të dalë publikisht dhe t’u kërkon falje të gjithë banorëve të komunës së Likovës dhe shqiptarëve sepse përpjekja e tij për të manipuluar në këtë mënyrë perfide me këtë tragjedi familjare ishte thirrje për vëllavrasje. Nuk kemi nevojë për thirrje të tilla”, tha Fetai.

Sipas tij, njerëzit që kanë bërë thirrje të tilla përfshirë edhe disa zëdhënës të BDI-së e që paraqiten si mediume, “duhet të distancohen nga thirrjet e tilla dhe të kërkojnë falje para shqiptarëve.

Fetai theksoi se sa herë që ka zgjedhje, madje kjo opozitë kërkon ndihmë nga Beogradi.

“Vitin e kaluar e dini se Vuçiqi derdhte lot krokodili për kinse ndërhyrje të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në fushatën parlamentare, por sot po shohim lidhje me Beogradin”, tha ai, derisa përmendi edhe rastin e arrestimit të Fatmir Shehollit, një bashkëpunëtor i shërbimeve serbe.

Arrestimi i Shehollit, madje sipas tij nuk është rastësi.

“Pamë një udbash emër e mbiemër, Sheholli i cili u arrestua nga policia e Kosovës se i njëjti ka punuar si spiun për Republikën e Serbisë. Pse e përmend: ai para disa ditësh përshëndeti në terma superlativ kryetarin e BDI-së të cilin e u quajti atdhetar i cili bën thirrje për pjesëmarrje në protestat në Tiranë që do të mbahen më 17 tetor. Pra sa herë që ka zgjedhje, Beogradi dhe njerëzit e tyre solidarizohen, bëjnë thirrje për të përkrahur BDI-në dhe sulmojnë VV-në dhe VLEN-in, pra kjo nuk është rastësi”, tha ai.