Zelensky: Trupat ruse po pësojnë humbje të rënda në frontin e Donetskut

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se forcat ukrainase po shkaktojnë humbje të mëdha trupave ruse në lindje të vendit, në rajonin e Donetskut, ku po zhvillohet një nga betejat më të ashpra të luftës që zgjat prej më shumë se tre vitesh e gjysmë.

Në fjalimin e tij të përnatshëm drejtuar qytetarëve, Zelensky tha se ka zhvilluar një bisedë gati njëorëshe me komandantin e përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, me fokus të veçantë në operacionin e kundërofensivës në zonën e Dobropillia-s, në afërsi të qytetit strategjik Pokrovsk.

“U përqendruam veçanërisht në operacionin e Dobropillias dhe kundërofensivën tonë. Armiku po përjeton humbje të rënda në këtë zonë,” tha Zelensky, duke nënvizuar se forcat ukrainase po mbrojnë gjithashtu edhe drejtime të tjera të vijës së frontit.

Dobropillia ndodhet në veri të Pokrovskut, një qendër logjistike kyçe që Rusia e ka shënjestruar si pjesë e avancimit të saj të ngadaltë drejt perëndimit të rajonit të Donetskut.

Deklarata e presidentit ukrainas vjen një ditë pas fjalimit të presidentit rus Vladimir Putin, i cili në një takim me oficerë të lartë të ushtrisë ruse pretendoi se Moska “ka iniciativën strategjike në të gjitha sektorët e vijës së frontit”.

Megjithatë, përmes raporteve nga terreni dhe komunikimeve nga zyrtarë ukrainas, Kievi thekson se kundërofensiva në lindje po sjell rezultate dhe po e pengon avancimin e mëtejshëm të forcave ruse.