Pas kapjes së djalit me kokainë, MPB filloi hetimet e brendshme për inspektorin e antidrogës në Tetovë

Departamenti për Kontroll të Brendshëm po e heton e rastin ku djali i inspektorit të antidrogës Orce Smilevskit nga Tetova u kap para pak ditësh me kokainë. Kështu konfirmuan nga MPB-ja për Portalb.mk. 

Të pyetur nga Portalb.mk për nëse do të kryejë MPB-ja hetim të brendshëm dhe çfarë masash do të ndërmarrin për Orce Smilevskin pasi djali i tij u kap me drogë, nga ministria thonë se po ndërmarrin veprime, por nuk japin detaje. 

“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme po ndërmerr masa dhe aktivitete në lidhje me rastin konkret, pas së cilës do ta informojmë publikun”, thanë nga MPB. 

Nga Ministria e Brendshme nuk i kanë konfirmuar informatat nëse djali i inspektorit së bashku me shokun e tij u kapën me drogë në veturën në pronësi të inspektorit. 

Policia njoftoi se më 4 tetor 2025 në orët e para të mëngjesit në Bërvenicë, policët privuan nga liria I.S. (23) dhe N.S. (28), të dy nga Bërvenica, ku gjatë kontrollit të automjetit “BMW” me targa të Tetovës, që drejtohej nga I.S., ndërsa pasagjer ishte N.S., u gjetën rreth 100 gramë kokainë, një peshore digjitale dhe para. 

 

Më pas, prokurori publik deri te gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Tetovë dorëzoi propozim për caktim të masës paraburgim për njërin të dyshuar, ndërsa për tjetrin masa kujdesi. 

Ata dyshohen se kanë qenë bashkëkryerës në veprën penale prodhim i paautorizuar dhe lëshim në shitje të drogave narkotike, substancave psikotropike dhe prekursorë.