22 vite pushtet, shumë fjalë e pak vepra

Shkruan: Florian NESIMI

Teksa fushata zgjedhore po vazhdon, vazhdojnë edhe premtimet parazgjedhore. Por ironia është se premtimet më të mëdha në këtë fushatë vijnë pikërisht nga ata të cilët për 22 vite rresht ishin në pushtet.

Nga blloku AKI dëgjojmë sërish deklarata për mbrojtjen e kombit shqiptar. Thua ti sikur ata janë shpëtimtarët e shqiptarëve. Por nëse e analizojmë realitetin, tabloja është krejt tjetër. Gjatë gjithë viteve të tyre në pushtet, rezultatet janë zhgënjyese në çdo fushë, nga infrastruktura, tek kultura e deri te jeta shoqërore.

Për 22 vite në qeveri, nuk arritën të lidhin as dy qytete shqiptare me një autostradë. Madje, nuk arritën të përfundojnë as rrugën Shkup-Bllacë që është vetëm 12 kilometra e gjatë. Dy dekada në pushtet dhe sërish nuk u ndërtua.

Dhe për ironi, shikoni vend-kalimet kufitare. Maqedonia ka autostradë me Serbinë, ka me Greqinë, me Bullgarinë është ndërtuar një rrugë moderne. Por me Shqipërinë dhe Kosovën, dy shtetet me të cilat shqiptarët kanë lidhje natyrore dhe jetike, ende mungon autostrada.

Dhe nëse kalojmë nga infrastruktura në kulturë, tabloja mbetet e njëjtë. Teatri i Tetovës, me vendim për themelim në vitin 2008, me gurthemel të vendosur në vitin 2014, kur dolën nga qeveria në vitin 2024, atë e lanë ende në fazën fillestare të ndërtimit. Dhe jo vetëm kaq, në asnjë qytet shqiptar, për 22 vite nuk ndërtuan asnjë objekt kulturor, as teatër, as qendër arti, asgjë që lidhet me identitetin kulturor të shqiptarëve. Ndërkohë, bilanci shoqëror është dramatik. Mbi 300 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë kohës sa BDI ishte në pushtet. Kjo është dëshmia e dhimbshme e dështimit të tyre. Një eksod masiv që tregon mungesën e shpresës dhe perspektivës.

E përveç kësaj, lista e aferave dhe krimeve politike është e gjatë, dhe e njohur për të gjithë qytetarët. Nëse me të vërtetë do të kishin qenë mbrojtës të interesit kombëtar, këto projekte dhe këto fate njerëzish do të kishin qenë prioriteti i parë. Sepse teksa flasin për patriotizëm, faktet tregojnë të kundërtën: dështim në realizimin e projekteve që do ta forconin kombin, që do të lidhnin shqiptarët mes vete, e që do të afirmonin identitetin tonë kulturor.

Kjo është demagogjia e tyre 22 vjeçare, shumë fjalë dhe pak vepra. Shumë privilegje për ta e shumë humbje për popullin. Prandaj këto zgjedhje janë test për qytetarët: a do t’iu besojnë premtimeve të politikanëve të vjetër të cilët na mashtruan për 22 vite, apo do t’iu japin fund premtimeve boshe dhe do të kërkojnë ndryshim të vërtetë.