Policia në gjah për drogë në lagjen “Nerez” e “Gjorçe Petrov” të Shkupit – aksion i madh policor

Në disa lokacione në të gjithë Shkupin, në lagjet Gjorçe Petrov, Hrom dhe Nerez, dje pasdite u krye një operacion i koordinuar policor për shpërbërjen e një grupi të organizuar të dyshuar për trafik droge, transmeton Portalb.mk.

Operacioni u krye nga inspektorë të Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me një prokuror nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Sipas informacioneve, cak i operacionit ishte një grup që shpërndante kokainë në zonën më të gjerë të kryeqytetit.

U kryen bastisje si pjesë e hetimit, dhe deri më tani janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar sasi më të vogla droge, telefona celularë dhe para të gatshme.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se pas përfundimit të operacionit, publiku do të informohet me më shumë detaje më vonë sot.