Bartësi i listës së VLEN-it për Këshillin e Qytetit të Shkupit, Bekim Fazliu, në një konferencë për media, tha se koalicioni ka zbuluar fakte të reja që dëshmojnë lidhje të drejtpërdrejta financiare mes familjes së Ali Ahmetit dhe regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Ka kaluar një javë që nga publikimi i aferës më të madhe politiko-financiare në historinë e Maqedonisë së Veriut, dhe për një javë të tërë Ali Ahmeti dhe BDI kanë zgjedhur heshtjen. Ata mendojnë se duke mos folur, do ta fshehin të vërtetën. Gabohen,” deklaroi Fazliu.
Sipas tij, kompania “AS Senjak” – e lidhur me familjen Ahmeti – nuk është thjesht një kompani fantazmë e mbushur me para publike nga tenderët, por “një qendër e një rrjeti të gjerë biznesi që ka përfituar kredi të drejtpërdrejta nga bankat e regjimit serb.”
Fazliu zbuloi se më 9 qershor 2025, një kompani ku “AS Senjak” është bashkëpronare, ka marrë një kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka e Beogradit, një institucion financiar i lidhur ngushtë me strukturat shtetërore serbe.
“Kjo kompani është e detyruar të raportojë rregullisht në Bankën Popullore të Serbisë. Pra, flasim për një lidhje të gjallë financiare dhe institucionale me qendrat e regjimit të Vuçiqit,” theksoi ai.
Sipas Fazliut, ky fakt përmbys narrativën e BDI-së se gjithçka lidhet me shitjen e aksioneve të Mijalkovit vetëm disa javë më parë.
“Kjo nuk është një marrëveshje e rastësishme apo e njëhershme. Kjo është një lidhje e vjetër, e thellë dhe e qëndrueshme. Shitja e aksioneve ishte vetëm vazhdimi i një bashkëpunimi tashmë ekzistues,” u shpreh ai.
Ai ngriti disa pyetje të drejtpërdrejta për liderin e BDI-së:
“Kur saktësisht ka filluar bashkëpunimi juaj me bankën e regjimit të Vuçiqit? Për çfarë janë përdorur këto para? Me çfarë garantohet kredia – me pasuri, me ndikim politik, apo me interesa kombëtare shqiptare?”
Fazliu theksoi se heshtja e Ahmetit është “vetëm konfirmim i fajësisë”.
“Kjo nuk është më vetëm aferë korrupsioni, por varësi financiare nga qendrat që punojnë kundër shqiptarëve. Ndërsa para kamerave flasin për patriotizëm, prapa skenave bëjnë marrëveshje me Beogradin,” tha ai.
Në fund, Fazliu theksoi se VLEN do ta çojë këtë çështje deri në fund:
“E vërteta duhet të dalë në shesh në tërësi. Heshtja e tyre nuk është më opsion. Çdo ditë që heshtin, vetëm vërtetojnë se janë kapur në krim dhe tradhti.”