Këngëtarja dhe aktorja e njohur Rozana Radi ka ndarë publikisht një histori të rëndë personale që ka përjetuar ndër vite — përndjekjen e vazhdueshme nga një person, i cili, pavarësisht se ishte dënuar me burg, nuk hoqi dorë nga ndjekja e saj.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Radi tregoi se gjithçka nisi kur një burrë i panjohur filloi ta ndiqte në mënyrë të vazhdueshme dhe shqetësuese, duke e pritur edhe në hyrje të pallatit.
“Një person më përndiqte, sa hapja ashensorin e gjeja aty. Pyeta nëse mund të mbaja ndonjë sprej për vetëmbrojtje, por më thanë se është e palejueshme”, – tha këngëtarja, duke përshkruar frikën dhe pasigurinë që ndjente çdo ditë.
Pas denoncimit të parë, personi u arrestua dhe u dënua me një vit burg. Por sipas rrëfimit të saj, sapo ai doli nga burgu, përndjekja rifilloi menjëherë.
“Djali u mor nga policia dhe u dënua një vit. Sapo doli, filloi përsëri përndjekjen dhe u rikthye sërish në burg, sepse unë bëra kallëzim”, – shtoi ajo.
Rozana tregoi se për një kohë të gjatë nuk kishte më qetësi, duke jetuar në ankth e frikë të vazhdueshme.
“Unë fillova të mos jetoja, shikoja në çdo moment mos e kisha pas. Falë Zotit, policia mu gjend pranë dhe sot jam pak më e qetë”, – tha artistja.
Sipas saj, personi që e kishte përndjekur ka dalë sërish nga burgu dhe këtë herë ka nisur të përndjekë një juriste.