Nesër varroset gjyqtari Astrit Kalaja, i cili u vra nga autori Elvis Shkambi, me tre plumba pasditen e së hënës në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Familja e të ndjerit ka publikuar lajmërimin përmes të cilit njoftohet se varrimi i tij do të bëhet në orën 16:00 në Shkodër.
Kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja?
Me një karrierë 32 vjeçare, Kalaja u emërua për herë të parë magjistrat në Shkodër, më 24 nëntor 1993. Aty, ai shërbeu për shumë vite, derisa u emërua në Gjykatën e Apelit, Tiranë.
Në vitin 2019, Kalaja u konfirmua në detyrë kaloi procesin e Vettingut. Pavarësisht konfirmimit të tij, komisioneri publik kërkoi shkarkimin e Kalajës nga detyra, pasi pretendonte se gjyqtari nuk ka bërë deklarimin e mjaftueshëm të një apartamenti, e të një sipërfaqe toke.
Në vitin 2022, gjyqtari u konfirmua në detyrë nga KPA-ja.
Po kështu, Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi.
Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Nga ky vit, deri më 2004, ai punoi si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit, Shkodër. Në qershor të vitit 2004, deri në janar 2023, Kalaja ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit, qarku Shkodër.