Autori ishte 5 hapa larg, pamje brenda sallës ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, ka tronditur opinionin shqiptar.

Klan News sjell pamje brenda sallës ku ndodhi krimi, ku në tavolinën e të ndjerit shihet një buqetë me lule.

Kalaja u vra me tre plumba në sallën numër 3.

Sipas raportimeve, distanca mes autorit dhe gjyqtarit ka qenë shumë e shkurtër. Janë dy kamera sigurie që kontrollojnë gjithë sallën.

Duke parë edhe hapësirën e sallës ku ka ndodhur ngjarja e rëndë, autori Elvis Shkambi dhe gjyqtari i ndjerë kanë qenë vetëm 5 hapa larg. Në këtë institucion që dje, 6 tetor, u kthye në skenë krimi, flamujt janë ulur në gjysmështizë, ndërsa sot do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë, deri më datë 10 tetor 2025.

Ngjarja e paprecendentë ndodhi dje, rreth orës 15:40. Një vendim jo në favor të 30 vjeçarit (autori), për një pronë në Shkodër, rezultoi me pasoja fatale për gjyqtarin Kalaja. Shkambi qëlloi me armë zjarri plot tre herë në drejtim të gjyqtarit, ndërsa plagosi babë e bir, pala tjetër në procesin gjyqësor.

Është arrestuar edhe xhaxhai i autorit, që dyshohet se e ka ndihmuar dhe punonjësi i sigurisë, që ka lejuar autorin të hyjë i armatosur në sallën e gjyqit.