Begaj: Rajoni përballet me sfida të sigurisë, duhet koordinim më i ngushtë mes vendeve

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bashkë me homologen e tij sllovene, Natasha Pirc-Musar dhe homologun kroat, Zoran Millanoviq, mbajtën një konferencë të përbashkët në kuadër të Samitit të Brdo-Brijunit, i cili u mbajt në Durrës.

Në fjalën e tij, Begaj tha se Shqipëria mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si element thelbësor në ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal, transmeton Klankosova.tv.

Sipas të parit të Shqipërisë, Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të bashkëpunimit rajonal, megjithëse ai thotë se rajoni përballet ende me sfida të sigurisë

“Shqipëria mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirën si element thelbësor në ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal. Në samitin e sotëm theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe marrëdhënieve ekonomike, megjithatë rajoni ynë përballet me sfida. Sfida të sigurisë të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinim më të ngushtë mes nesh”, tha Begaj.

Presidenti foli edhe për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, dhe të mirat që i ofron ai vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit tonë, përbën një mundësi të çmuar për zhvillimin ekonomik, pasi krijon akses në instrumente financiare të Bashkimit Evropian, lehtësira tregtare dhe programe të përbashkëta për çdo zhvillim”.