Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, përballë qindra bashkëqytetarëve të
tij në mërgatë, kandidati për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Limani,
prezantoi vizionin e tij për një politikë të re, dinjitoze dhe të orientuar drejt
zhvillimit të qëndrueshëm. Duke folur në zemër të komunitetit kërçovarë në
Zvicër, Limani nuk i fshehu emocionet përballë atyre që i cilësoi si “vëllezërit e
gjakut të Arbnit” – duke i krahasuar me diasporën historike arbëreshe, por me një
dallim të madh:
“Ju nuk jeni një degë që është tharë nga largësia, por një degë që mban me
jetë edhe trungun e kombit tonë. Ju jeni zemra që pompon gjakun në trupin e
atdheut – pa ju, shumë familje në mëmëdhe nuk do të mbijetonin.”- tha para
të pranishmive Limani
Në fjalën e tij, Limani kritikoi me tone të forta klasën e vjetër politike, që sipas tij e
ka shfrytëzuar dhe harruar mërgatën, duke i përdorur për retorikë nacionaliste e
mbështetje financiare, por pa i dhënë asnjë rol real në drejtimin e vendit.
Në qendër të programit të Fatmir Limanit qëndron bashkëqeverisja me mërgatën,
të cilën ai e sheh jo vetëm si kontribuuese financiare, por si motor zhvillimi dhe
vizioni për të ardhmen e komunës.
Ai prezantoi një plan konkret për përfshirjen e diasporës, që përfshin:
Ngritjen e Njësisë për Diasporë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar pranë
komunës; Krijimin e një Fondi Zhvillimor të përbashkët, me kontribut nga
mërgata dhe komuna; Lehtësira fiskale dhe administrative për investitorët
nga diaspora; Organizimin e Forumit Ekonomik Vjetor me mërgatën në
Kërçovë; Platforma online për mësimin plotësues të shqipes, për fëmijët e
diasporës; Hartimin e një strategjie 5-vjeçare për zhvillim të qëndrueshëm,
me përfshirjen aktive të profesionistëve nga diaspora.
“Ne nuk duam që diaspora të jetë e pranishme vetëm gjatë dasmave verore,
por të jetë bashkë me ne në çdo vendim, në çdo investim, në çdo hap që
ndërmarrim për zhvillimin e Kërçovës. Çdo natë që kthehem nga puna dhe
shkoj tek nëna ime, më trishton fakti se shumë prej shtëpive janë të fikura. Ne
do ta ndezim dritën e jetës në to. Do ta kthejmë shpresën. Do ta kthejmë jetën
në Kërçovë,” – tha Limani.
Në mbyllje të takimit Limani theksoi se zgjedhjet e ardhshme nuk janë një garë për
pushtet etnik, por një referendum për zhvillim, dinjitet dhe qeverisje të mirë.
“Është koha që të ndalim hemoragjinë e ikjeve, të ndalim korrupsionin, të
ndalim zbrazjen e mëmëdheut nga të rinjtë. Këto zgjedhje janë referendum
për rrugë të ndriçuara, për shkolla cilësore, për bashkëjetesë të sinqertë dhe
për përparim të barabartë për të gjithë,” përfundoi Limani, duke i kërkuar
kërçovarëve në diasporë që të japin besën për ndryshimin e madh.