Digjet xhamia në Britani, policia e heton si sulm urrejtjeje

Një xhami në qytetin Peacehaven, pranë Brightonit në jug të Anglisë, është përfshirë nga flakët, në një sulm të dyshuar zjarrvënieje që policia po e trajton si krim urrejtjeje.

Dy persona ndodheshin brenda xhamisë në momentin kur ndërtesa u sulmua, por fatmirësisht arritën të shpëtojnë pa lëndime, transmeton klankosova.tv.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 me orën lokale, kur dy persona të maskuar u përpoqën të hapnin derën e xhamisë dhe më pas hodhën benzinë në hyrje duke i vënë flakën, sipas një menaxheri vullnetar të xhamisë.

Sipas dëshmisë së tij për CNN, në momentin e sulmit, kryetari i xhamisë dhe një besimtar tjetër, të dy po pinin çaj brenda godinës kur dëgjuan një zhurmë të fortë dhe dolën me shpejtësi jashtë, ndërsa flakët kishin përfshirë hyrjen kryesore.

”Po të mos kishin dalë në kohë, do ishin djegur të gjallë”, u shpreh menaxheri, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Policia ka publikuar përshkrimet e autorëve bazuar në kamerat e sigurisë, njëri prej tyre mban një xhup të zi me logon “Pre London”, ndërsa tjetri kishte doreza të kuqe. Hetuesit u bëjnë thirrje qytetarëve të ndihmojnë me informacion.

Ngjarja vjen vetëm disa ditë pas një sulmi vdekjeprurës ndaj një sinagoge në Manchester, ku dy besimtarë hebrenj humbën jetën nga një përplasje me makinë dhe thikë gjatë festës së Yom Kippur.