Shirat e rrëmbyeshëm në Nepal kanë shkaktuar rrëshqitje toke dhe përmbytje të menjëhershme, duke bllokuar rrugët dhe duke rrëzuar urat dhe duke vrarë të paktën 22 persona në 36 orët e fundit.
Tetëmbëdhjetë persona u vranë në rrëshqitje toke të ndara në distriktin lindor Ilam në kufi me Indinë, njoftoi zëdhënësi i policisë Binod Ghimire.
Tre të tjerë u vranë në Nepalin jugor nga goditjet e rrufeve dhe një person vdiq në përmbytjet në distriktin Udayapur, gjithashtu në Nepalin lindor.
Njëmbëdhjetë persona u rrëmbyen nga përmbytjet dhe janë të zhdukur që nga e shtuna.
“Operacionet e shpëtimit për ta janë duke u zhvilluar”, tha Shanti Mahat, zëdhënëse e Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Rrezikut të Fatkeqësive (NDRRMA).
Bëhet e ditur se disa autostrada u bllokuan nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet, duke lënë të bllokuar qindra udhëtarë.
Në Nepalin juglindor, lumi Koshi, i cili shkakton përmbytje vdekjeprurëse në shtetin lindor indian të Biharit pothuajse çdo vit, është ngritur mbi nivelin e rrezikut.
Dharmendra Kumar Mishra, administratori i distriktit të Sunsari, tha se rrjedhat e ujit në lumin Koshi ishin më shumë se dyfishi i normales.
Të 56 portat e digës Koshi u hapën për të lëshuar ujë, krahasuar me rreth 10 deri në 12 gjatë kohërave normale, dhe autoritetet po “përgatiteshin të ndalonin hyrjen e automjeteve të rënda në urë”.
Meteorologët thonë se shirat ka të ngjarë të vazhdojnë në vend deri të hënën, dhe autoritetet thonë se po marrin masat maksimale paraprake për të ndihmuar njerëzit e prekur nga katastrofa.