Kryetari i Alternativës dhe një nga udhëheqësit e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës fyese të përdorur në diskursin politik, duke e cilësuar atë si “nivelin më të ulët që ka njohur ndonjëherë politika shqiptare”.
“Më vend se të kërkojë falje që i ka quajtur (dhe vazhdon t’i quajë) shqiptarët ‘zagarë’, ai vazhdon ta përsërisë refrenin ‘zagarë, zagarë’”, shkruan Ibrahimi.
Ai thekson se mungesa e ofertës për komunat dhe frika nga humbja elektorale nuk mund të justifikojnë përdorimin e një gjuhe të tillë ndaj kundërshtarëve politikë.
“E kuptoj se nuk kanë ofertë për komunat, e di se janë zënë keq që ne për 15 muaj kemi investuar në komuna më shumë se ata për 22 vjet, ama kjo nuk ta lejon që nga frika e humbjes t’u thuash shqiptarëve ‘zagarë’. Kjo nuk ka ndodh asnjëherë”, shton ai.
Në fund, Ibrahimi apelon për reflektim dhe vetëpërmbajtje në komunikimin publik, duke paralajmëruar për degradimin e mëtejshëm të debatit politik:
“Nëse ka pak mendjejthjellët andej, pres që ai të kërkojë falje nga ky ofendim dhe të mos e përsërisë më. Në të kundërtën, kam drojë se krejt diskursi politik po na rrëshqet te ‘Ferma e kafshëve’ e George Orwell-it.”