I dha 18 mijë euro për të blerë banesë në Tetovë, mashtrohet gostivarasi

Një 61-vjeçar nga Gostivari tha se është mashtruar nga një person me rreth 18 mijë euro. Siç denoncoi ai në polici, në muajin prill dëshironte të blinte banesë në Tetovë ku i dha 17,740 euro paradhënie Sh.F nga Tetova, por sipas 61-vjeçarit, nuk është nënshkruar akoma kontratë dhe se personi e ka shmangur gjatë gjithë kohës.

“Më 02.10.2025 në orën 09:00 në DPB Gostivar, një 61-vjeçar nga një fshat i Gostivarit ka raportuar se gjatë muajit prill 2025 është mashtruar nga Sh.F. nga Tetova për shumën prej 17.740 euro. Sipas denoncimit, ata kishin rënë dakord të blinte një apartament prej tij në Tetovë dhe i kishte dhënë paratë si kapar për banesën. Siç është raportuar, nga ajo ditë e deri në denoncim nuk kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes për apartamentin, dhe personi e ka shmangur, kështu që ka kuptuar se ishte mashtruar. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thuhet në raportin e policisë.