Gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, ka rimarrë detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ai zëvendëson në krye të KFOR-it gjeneralmajorin italian, Enrico Barduanin, i cili më 11 tetor 2024 kishte marrë udhëheqjen e misionit pikërisht nga gjenerali Ulutash.
“Ne jemi të gatshëm dhe plotësisht të përkushtuar për të përmbushur misionin tonë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Do ta bëjmë këtë përmes aktiviteteve të ndryshme në terren, por edhe përmes mbështetjes tonë të fuqishme për dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, që është rruga drejt stabilitetit”, tha Ulutash.
Ulutash falënderoi paraardhësin e tij për punën e bërë dhe tha se është i gatshëm që të punojë drejt konsolidimit të mëtejmë me autoritetet e Kosovës.
“Llogaris në vazhdimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre respektive të sigurisë”, tha Ulutash.
Komandanti i 30-të i KFOR-it tha se misioni ka prani në mbarë Kosovën dhe “është i gatshëm të trajtojë çdo zhvillim të sigurisë”.
Ulutash tha se prioritet mbetet që të përmbushet misioni i KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjet për të gjitha komunitetet.
Kjo është hera e dytë që KFOR-i udhëhiqet nga një komandat turk.
Mandati i parë njëvjeçar i Ulutashit në krye të KFOR-it nisi në tetor të vitit 2023 dhe përfundoi në tetor të vitit pasues.
Barduani: Ka ende shqetësime të sigurisë për shkak të çështjeve të pazgjidhura
Gjeneralmajor Enrico Barduani, gjatë fjalimit në ceremoninë e ndërrimit të komandës, tha se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por e brishtë.
“Ka ende shqetësime për sigurinë afatgjatë për shkak të disa çështjeve ende të pazgjidhura. Prandaj, roli i KFOR-it këtu ende i rëndësishëm”, tha ai.
Sipas Barduanit, nga të gjitha dislokimet që ka pasur në mbarë botën, shërbimi i tij në Kosovë ka qenë më sfiduesi.
“Këtu çdo ngjarje e vogël, qoftë edhe të një magnitude të vogël, çdo veprim dhe fjalë mund të ketë pasoja strategjike, në kontekstin që mbetet stabil, por i brishtë”, tha ai.
KFOR-i, tha Barduani, vazhdon të mbështesë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të arrihen zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është kyç për një stabilitet afatgjatë”, theksoi ai.
Në këtë drejtim, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, dhe “të dyja të tregojnë fleksibilitet për të arritur kompromiset e nevojshme”.
“Politikanët e mençur duhet të punojnë në të mirë të popullit të tyre dhe për të ardhmen e shtetit të tyre. Prandaj, ata duhet të jenë të gatshëm të bëjnë kompromise”, tha Barduani.
“Nëse e shikojmë skenarin e sigurisë në mbarë botën sot, jam i sigurt se tani më shumë se kurrë na duhet udhëheqje politike të ndjekë zgjidhje afatgjatë për disa çështje të pazgjidhura që ende prekin stabilitetin e Kosovës dhe rajonit”, shtoi komandanti i 29-të i KFOR-it.
Të pranishëm në ceremoninë e ndërrimit të komandës të KFOR-it ishin të pranishëm edhe zyrtarë institucionalë të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin e misionit të NATO-s.
“Populli i Kosovës gjithmonë ka qenë në linjë me vlerat e lirisë dhe sigurisë kolektive. Prandaj, aspirata jonë për t’iu bashkuar NATO-s nuk është vetëm zgjedhje strategjike, por reflektim i asaj që jemi ne”, tha ajo.
Sipas Osmanit, në kohën kur kërcënimet për paqe po shtohen, aleanca e NATO-s është më e fuqishme kur qëndron së bashku me partnerët që kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për paqe.
“Kosova e ka bërë këtë përmes qëndresës sonë, reformave dhe vendosmërisë së popullit tonë. Duhet të jemi të qartë, ka të tillë që duan të zhbëjnë atë që së bashku e kemi arritur, ata duan të na kthejnë në të kaluarën. Përgjigja jonë ndaj tyre duhet të jetë e qartë: lajkatimi i diktatorëve dhe autokratëve nuk duhet të jetë përgjigja siç na tregon historia. Nuk duhet t’u mundësohet partneriteti atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve”, tha Osmani.
Deklarata të ngjashme Osmani bëri edhe një ditë më parë, kur tha se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënim për Kosovën. Ajo kërkoi nga Bashkimi Evropian që të mos “e shpërblejë Serbinë”, pasi argumentoi se ajo është partnere e Moskës dhe se ka “përdorur taktika të agresionit dhe destabilizimit ndaj fqinjëve”, duke përmendur sulmin në Banjskë të Zveçanit më 2023, për të cilin Kosova fajëson Serbinë.
Kush është Ulutash?
Karriera e tij ushtarake nisi pasi e përfundoi shkollën e mesme ushtarake më 1985 dhe Akademinë ushtarake në vitin 1989.
Që nga viti 2021 ka shërbyer si drejtor për strategji në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë, ndërsa më parë kishte qenë komandant i përgjithshëm i Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s në Turqi.
Më parë, Ulutash kishte mbajtur edhe pozita të tjera ushtarake, si: zëvendëskomandant i sektorit të Komandës së Përbashkët të NATO-s në Norfolk, drejtor i Qendrës për Studime Historike Ushtarake në Ankara dhe zëvendëskomandant i Garnizonit të Brigadës së 28-të të Këmbësorisë së Mekanizuar.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Misioni i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Në KFOR aktualisht janë 4.649 paqeruajtës nga 33 shtete./REL