Siljanovska: Nëse BE-ja dëshiron të jetë një bashkim gjeopolitik, nuk duhet ta lërë Ballkanin Perëndimor

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot mbajti fjalim në panel diskutimin me temë “Siguria dhe Rezistenca – kërcënime tradicionale dhe të reja”, në kuadër të Takimit të Shtatë të Komunitetit Politik Evropian, që mbahet në Kopenhagë, Danimarkë.

Duke përmendur luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet transnacionale, përkatësisht krimin e organizuar, migrimin e paligjshëm, sulmet kibernetike dhe keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, si sfida për paqen dhe stabilitetin e Evropës, Siljanovska-Davkova theksoi se vendi po bën përpjekje për të vepruar në mënyrë konstruktive në të gjitha rastet e mësipërme.

“Por puna duhet të vazhdojë. Evropa nuk mund të jetë plotësisht e sigurt për sa kohë që Ballkani Perëndimor është jashtë Bashkimit Evropian. Dobësitë tona janë dobësi të Evropës. Sidomos pas luftës në Ukrainë, BE-ja nuk mund të pretendojë seriozisht se po lufton kundër keqpërdorimit të informacionit nga shërbimet e huaja, kundër kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të jashtme në Evropë, duke e lënë Ballkanin Perëndimor jashtë. Ashtu si Cari në historinë e Hans Kristian Andersenit që parakaloi me rroba të reja të padukshme, BE-ja rrezikon të mashtrojë veten nëse flet për unitet dhe qëndrueshmëri, duke e lënë vendin tim dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor të ekspozuar pikërisht ndaj këtyre kërcënimeve”, tha Siljanovska-Davkova.

Ne jemi të vetëdijshëm, shtoi ajo, se Komuniteti Politik Evropian nuk do të thotë zgjerim, por përfshirje. Por përfshirja, theksoi ajo, duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve.

Në të njëjtën kohë, ajo theksoi se kontinenti evropian nuk është i sigurt për sa kohë që vendet e Ballkanit Perëndimor janë jashtë Unionit dhe shtoi se integrimi evropian i rajonit duhet të bazohet ekskluzivisht në kriteret e Kopenhagenës.

“Mënyra më efektive për të mbrojtur Ballkanin Perëndimor është rivendosja e anëtarësimit bazuar në besueshmëri dhe meritë, bazuar vetëm në kriteret e Kopenhagës. Kjo do të thotë t’i jepet fund bilateralizimit të integrimit, i cili zvogëlon qëndrueshmërinë e rajonit dhe të Evropës. Pikërisht kjo duhet të fillojë me vendin tim. Kanë kaluar njëzet vjet të gjata që kur morëm statusin e kandidatit. Pavarësisht reformave të zbatuara vazhdimisht, pengesat politike të pajustifikuara vazhdojnë të bllokojnë progresin tonë dhe të gërryejnë besimin e publikut në zgjerim”, thotë presidentja Siljanovska-Davkova.

Lidhur me rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë, ajo theksoi se është e palogjikshme që BE-ja ta përkufizojë veten si “unitet i diversitetit” dhe të respektojë identitetet kulturore, gjuhësore dhe kombëtare, ndërkohë që na kërkon të negociojmë për historinë, kulturën dhe gjuhën tonë.

“Ndryshimet e shpeshta kushtetuese të frymëzuara nga jashtë, deri më tani 36 në numër, paraqesin rrezik për pezullimin e demokracisë parlamentare. Skema të tilla nuk janë një hap drejt reformës, por një shenjë brishtësie. Pavarësisht këtyre pengesave, integrimi evropian mbetet frymëzimi dhe aspirata jonë më e madhe strategjike. Qytetarët e Maqedonisë duan një të ardhme evropiane. Përputhja jonë 100 për qind me Politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë mbështetjen për Ukrainën, është një zgjedhje strategjike dhe parimore. Edhe pse nuk jemi anëtare të BE-së, jemi gati të kontribuojmë në arkitekturën e sigurisë së Evropës. Jemi plotësisht të përgatitur për të hapur Klasterin 1, Themelet, dhe tashmë po zbatojmë Axhendën e reformave të planit të rritjes 2024-2027. Por, siç ka theksuar kryetarja e Komisionit Evropian, Bashkimi Evropian duhet të thyejë rrethojën e konsensusit sa më shpejt të jetë e mundur nëse dëshiron të përfundojë ribashkimin e Evropës dhe të bëhet përsëri një faktor gjeopolitik”, thotë ajo.

Prandaj, presidentja përfundoi në fjalimin e saj, “Nëse BE-ja dëshiron të jetë një bashkim gjeopolitik, ajo nuk duhet ta lërë Ballkanin Perëndimor në një vakum gjeopolitik”.

Presidentja Siljanovska-Davkova mori pjesë edhe në aktivitetin e organizuar nga presidenti francez Emanuel Makron dhe kryeministrja italiane Xhorxha Meloni me rastin e prezantimit të iniciativës së Republikës Franceze për formimin e një Koalicioni evropian kundër drogave (ECAD).

Gjatë diskutimit, presidentja theksoi se unitetit të karteleve duhet t’i përgjigjet me një unitet dhe bashkëpunim më të fortë të vendeve evropiane, dhe se kjo është e mundur vetëm me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.