Si po e forcon Vuçiq, Radoiçiqin në Serbi?

Angazhimi i shtuar i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, pas një mungese të përkohshme nga jeta publike në Serbi – që pas pranimit të përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë – tregon se regjimi serb ka shpallur një mobilizim të përgjithshëm dhe po përgatitet për një periudhë përshkallëzimi të konflikteve me një shoqëri të rebeluar.

Sipas bashkëbiseduesve të mediumit radar, pushtetit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i duhen individë me talent për dhunë, para së gjithash për të ndalur zhvillimin e nismave të gjalla lokale qytetare – pas shembullit të Kralevës dhe më pas edhe të qyteteve të tjera si Zajçari apo Kosjeriçi – dhe për të forcuar strukturën e lëkundur të organizatës së vet.

Për këto punë nevojiten njerëz me përvojë në shkatërrimin total të pluralizmit në një shoqëri, nga njëra anë, dhe në vendosjen e ligjit të omertës (kodi i heshtjes) mes ndjekësve të tyre, nga ana tjetër. E nëse për këtë nevojitet një përfaqësues shembullor, më i miri se ai në veri të Kosovës nuk gjendet – as në përvojat historike të diktaturave narkotike të Amerikës Latine, transmeton Telegrafi.

Gjatë dekadës së kaluar, Milan Radoiçiq – sipas udhëzimeve të Vuçiqit – ka shkatërruar në mënyrë aq të thellë vullnetin e serbëve të Kosovës për t’i rezistuar dhunës dhe ka nxitur “aftësinë e tyre për të besuar” edhe në gënjeshtrën më të hapur, saqë edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vjet nga largimi i tij nga Mitrovica e Veriut, në atë qytet ende nuk ekziston asnjë parti opozitare plotësisht e pavarur.

Detyrë e re për ekipin nga Banjskë

“Sot, ky proces i shantazhit është bërë krejtësisht i automatizuar dhe reduktohet në dhënien ose ndërprerjen e dhënies së të ardhurave personale. Kjo do të thotë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfshirja ose heqja nga lista për të ardhura personale, por edhe kërcënime nga njerëzit e Radoiçiqit ose nga ata që paraqiten si të tillë“, thotë për Radarin, Radoica Radomiroviq, aktivist politik nga Leposaviqi dhe bartës i listës “Fytyra e Re e Serbisë – Drejtësia Popullore” në zgjedhjet lokale të ardhshme, të caktuara për 12 tetor.