Kurti: Votimi për Emilija Rexhepin nuk mund të anulohet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhja e Emilija Rexhepit nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga minoriteti joserb “nuk mund të anulohet”, teksa vendi pret aktgjykimin e plotë të gjykatës më të lartë në lidhje me votimin për nënkryetarët e organit ligjvënës.

Gjykata Kushtetuese njoftoi më 30 shtator përmes një vendimi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende dhe se ky proces nuk përfundon pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

I pyetur nga gazetarët gjatë një ngjarjeje në Prishtinë lidhur me vendimin e gjykatës, Kurti – i cili është lider i Lëvizjes Vetëvendosje gjithashtu- tha se “duhet ta shohim aktgjykimin në mënyrë të plotë për ta dhënë vlerësimin tonë”.

Por, ai shtoi se “është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Kosovës. Kuvendi e ka zgjedhur kryetarin, Dimal Bashën, i ka zgjedhur katër nënkryetarët, Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilija Rexhepin”.

“Askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga komuniteti serb. Emilija Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilija Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb”, theksoi Kurti.

Gjykata Kushtetuese nuk e ka publikuar ende aktgjykimin e plotë të 30 shtatorit dhe asaj zakonisht i duhet rreth një javë për ta bërë këtë.

Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare e Kuvendit nga pakica joserbe në një votim ndaras nga pakica serbe në gusht, pavarësisht se në të kaluarën ishin votuar gjithmonë në një pako.

Derisa Rexhepi i mori votat e nevojshme, kandidati i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, nuk i mori votat, siç nuk i morën as kandidatët e tjerë të kësaj partie të hedhur në votim me short nga kreu i ri i Kuvendit, Dimal Basha.

Kjo bëri që Lista Serbe të ankohej në Kushtetuese për veprimin Bashës, i cili, më vonë, e shpalli njëanshëm të konstituuar Kuvendin, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.

Gjykata Kushtetuese theksoi gjithashtu se, seanca e nisur më 15 prill, duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit./REL