Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se është i vetëdijshëm për pritjet e gjata me të cilat përballen pacientët onkologjikë, por theksoi se një zgjidhje e menjëhershme nuk është e mundur, ndërsa lidhur me ankesat e tyre se detyrohen të kryejnë analiza në klinika private, ai sqaroi se këto shërbime mund të realizohen edhe në klinikat shtetërore të qyteteve të tjera, për shkak se Klinika e Onkologjisë në Shkup ka një fluks shumë të madh pacientësh.
“Për fat të keq për momentin është e vërtet se për shkak të mbingarkesës dhe numrit të madh të pacientëve që presin, për fat të keq koha e pritjes për rezultate është më e gjatë, se sa do donte çdo ministër dhe çdo qytetarë, punojmë intensivisht për këtë. Më besoni se zgjidhje nuk mund të gjendet menjëherë për këtë rast”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Për zgjidhjen e problemit të mungesës së kuadrit profesional në onkologji por jo vetëm, Aliu tha se do të bëjnë shkëmbimin e mjekëve me disa vende evropiane, si dhe mjekët tanë të cilët ndodhen jashtë vendit do të kyçen në sistemin tonë shëndetësor për të ndihmuar në shërimin e pacientëve.
“Jo vetëm nga Sllovenia, ja po paralajmëroj edhe nga Italia dhe Austria, pra po punojmë për gjetjen e mundësisë për bashkëpunim me vende që tashmë ne kemi një lloj bashkëpunimi ose nga aspekti klinik, pra ato vijnë këtu ose mjekët tonë shkojnë për trajtime atje. Por, gjithashtu edhe nga aspekti administrativ e shohim se më lehtë mund të komunikojmë me vende që sistem shëndetësor të ngjashëm”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Ndërkohë, dje pacientët me kancer të gjirit u ankuan se 75 për qind e tyre për të bërë diagnostikimin e hershëm të kancerit analizat e tyre i bëjnë në klinikat private. Ndërsa publikuan shifra alarmante të pacientëve me kancer, ku vetëm këtë vit 1200 pacient të rinj janë diagnostikuar me kancer.
Si sfidë të herëpashershme pacientët onkologjikë kanë edhe mungesën e terapive. Aktualisht në Klinikën Onkologjike në Shkup ka mungesë të tumor markerëve. /Alsat.mk