Kam nderin që sot jemi së bashku në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor 2025 – vend ku nuk flasim vetëm për teknologji, por për atë se si digjitalizimi po e ndryshon të ardhmen e qytetarëve tanë, bizneseve dhe shteteve.
Sot jetojmë në një kohë kur zgjidhjet digjitale nuk janë çështje zgjedhjeje, por mbijetese dhe progresi. Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetë një cep i prapambetur i Evropës. E ardhmja jonë është lidhshmëria, inovacioni dhe njohuria.
Ky Samit është simbol pikërisht i kësaj – rajoni tregon se di të punojë së bashku, se mund të krijojë një treg të përbashkët digjital dhe se mund të jetë pjesë e dekadës digjitale Evropiane. Sot flasim për një temë e cila nuk është vetëm një ndryshim teknologjik, por një revolucion themelor i cili po formëson të ardhmen e të gjithë neve – digjitalizimin. “Bota ndryshon me teknologjinë më shpejt sesa po ndryshojmë ne vetë”, tha një mendimtar bashkëkohor. Prandaj, detyra jonë nuk është të ndjekim këtë progres, por të jemi udhëheqësit e tij.
Një kohë të gjatë, shoqëria jonë ka qenë e bllokuar në burokraci – radhë në sportele, vula dhe dokumente që udhëtojnë nga një zyrë në tjetrën. Ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të njerëzve që humbin orë, apo edhe ditë, për shërbime që në thelb duhet të zgjasin vetëm disa minuta. Kjo duhet të jetë një gjë e së kaluarës. “Burokracia është mekanizmi që shndërron energjinë në rezistencë”, paralajmëronte Çesterfild.
Digjitalizimi është mënyra jonë për të tejkaluar inercinë dhe për ta kthyer vendin në një shërbim të vërtetë për qytetarët. Me digjitalizimin, ne e rrënojmë pabarazinë midis atyre që kanë akses dhe atyre që janë lënë në margjinat. Kur çdo qytetar mund të marrë një dokument me një klikim, kjo është demokraci e vërtetë. Kur çdo bujk mund të fitojë shpejt një subvencion, kjo është drejtësi. Kur çdo kompani mund të aplikojë në mënyrë digjitale për një projekt, ky është zhvillim.
“Informacioni është nafta e re e shekullit 21”, ka thënë Klaus Shvab, themelues i Forumit Ekonomik Botëror. Por, përdërisa nafta i krijonte monopolet, informacioni mund të krijojë barazi – kuptohet, nëse e përdorim atë në mënyrën adekuate. Digjitalizimi është një fuqi ekonomike. Ai hap tregje, sjell investime të reja dhe rrit konkurrueshmërinë. Me digjitalizimin, kompanitë tona të vogla kanë mundësinë të dalin në skenën globale. “Në të ardhmen, do të ketë vetëm dy lloje kompanish – digjitale dhe ato që nuk ekzistojnë më”, paralajmëroi një vizionar nga Lugina e Silikonit.
Prandaj qëllimi ynë është i qartë: të bëhemi një qendër e inovacionit digjital në rajon, vend që do të tërheqë investitorë dhe do të mbajë talentet. Por të mos harrojmë – digjitalizimi nuk është për makineritë, është për njerëzit. Është për nënën që dëshiron ta regjistrojë fëmijën e saj në kopsht më shpejt, për pensionistin që dëshiron ta marrë lehtësisht pensionin e tij, për nxënësin që dëshiron qasje në njohuri dhe libra online, për çdo qytetar që dëshiron ta ndiejë shtetin si mik, jo si kundërshtar. “Teknologjia duhet t’i shërbejë njeriut, jo anasjelltas”. Ky është qëllimi ynë.
Vizioni ynë është një shtet që do të jetë plotësisht digjital, transparent dhe efikas. Deri në fund të mandatit, të gjitha shërbimet publike do të jenë të qasshme online. Çdo qytetar do të ketë identitetin e vet digjital dhe qasje në të gjitha institucionet përmes telefonit celular. Do të krijojmë gjenerata me aftësi digjitale – nxënës që do të jenë konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë. Do të ndërtojmë sistem të sigurisë kibernetike që do të garantojë besimin në shoqërinë digjitale.
Me krenari e prezantuam aplikacionin M-Shërbime – këtu ministri për transformim digjital, së bashku me ekipin e tij, punoi me përkushtim dhe shumë angazhim, prandaj shpreh falënderimin tim për Stefan Andonovskin, Ministrinë dhe ekipin e Ministrisë për zhvillimin e këtij aplikacioni. Është një simbol i epokës së re: të gjitha dokumentet në një portofol digjital, shkëmbim i sigurt i të dhënave, kujtesë për afatet dhe detyrimet, transparencë dhe besim i plotë. Ky është fillimi i një revolucioni digjital që do ta ndryshojë vendin nga themelet. Digjitalizimi është ura jonë drejt Evropës. Ajo është mburoja jonë kundër korrupsionit. Ajo është shansi ynë për të ndërtuar një shtet më efikas dhe një shoqëri më të drejtë. “E ardhmja u takon atyre që përgatiten për të sot.” Le të jemi ne ata që do ta ndërtojnë të ardhmen. Të jemi brezi që do ta shndërrojë rajonin në motor digjital. Me digjitalizimin bëhemi një vend i cili do të jetë konkurrues me shtetet e tjera në Evropë dhe me rajonin, me të cilin së bashku do të ecim përpara.
Kur jashtë vendit po përgatisja doktoratin rreth 20 vjet më parë dhe më shumë dhe kur po përgatisja pjesën eksperimentale të doktoratit, atëherë për herë të parë filluam të aplikojmë algoritme të inteligjencës artificiale. Atëherë kishte tre rrjete neurologjike, algoritme gjenetike dhe fazi logjika. Unë zgjodha të përdor fazi logjikën si algoritëm, për të kontrolluar robotët manipulues në proceset teknologjike. Edhe në atë kohë kjo përbënte një sfidë serioze për mua si një stipendist i ri që e la Maqedoninë dhe shkoi jashtë vendit i etur për dije. Kur u ktheva, dëshira ime ishte ta përcjell atë dijeni tek studentët. Dhe sot, si Kryetar i Qeverisë, dëshira ime është që si shtet dhe si qeveri të jemi më të mirët në rajon dhe jam i bindur se deri në fund të këtij mandati, këtë do ta arrijmë.