Shkruan: Dijana Toska
Fushata ka filluar me disponim të mirë, politikanët po ndajnë komplimente garuese mes veti duke e quajtur njëri tjetrin: zagarë, lepur, pijanec, haxhi, tradhtarë e udbashë, si shprehje e respektit e dashurisë që kanë për shoqi-shoqin.
Nëpër podiume sallash sportive, politikanët bëjnë rolin e ankandxhinjve me mikrofon, duke nxjerrë në shitje shpresën kolektive të një populli që trajtohet si mall shitblerës.
Populli ndahet në lote, si tokë bujqësore në hartat e fushatave: kjo komunë është e imja, ky fshat është i yni, ky qytet është i tyre, ky rajon është “i diskutueshëm”, sikur të ishin parcela të trashëguara nga baballarët e politikës.
Tender populli, gjithmonë në ankand, si një rrobë e vjetër e varur në vitrinën e historisë, ku blerësit matin gjatësinë e durimit të tij dhe peshën e shpresës që ende nuk ka vdekur për zotërim të fatit të vet.
Ky popull asesi të gjej forcën e tu tregojë se nuk është një produkt në raftin e politikës, është më shumë se mall, është zë, është fuqi, është një premtim i gjallë për një të nesërme që nuk blihet, nuk shitet.
Sot, më shumë se kurrë, e kupton se fuqia e tij qëndron në zgjedhjen e lirë, në vetëdijen e përbashkët për t’u ngritur kundër çdo ankandi ku do të shitet shpresa e tijë. Dinjiteti është i pakapshëm, liria është e paprekshme dhe shpirtin nuk e ngjyros dot askush me bojën e manipulimit.
Do vijë një ditë e bukur kur rinia jonë do të jetë pronare e vetvetes e politikanët e sotëm do ti magacionoj si mall me afat të skaduar.
PS
Fjalimet në tubimet e këtyre ditëve sikur ajo barcoleta e dikurshme.
Kur një politikan drejtuar masës kishte deklaruar me krenari se mbi 20 vite meret me politikë dhe se është shumë i ndershëm. Një prostitute qetësisht ju kishte përgjigjur. Njësoj si unë qenkeni krenar. Edhe unë qe 20 vite prostituohem dhe vazhdoj të jem virgjine.