Familjet shqiptare në jug të Serbisë ndiejnë një valë të re shqetësimi: rikthimi i mundshëm i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi po u kthen frikën e viteve ’80 dhe ’90.
Kur dëgjon fjalën “ushtri”, Sadik Sadiku nga Rahovica e Preshevës, në jug të Serbisë, nuk mendon për mbrojtje, por për arkivole të mbyllura hermetikisht, që sollën dhimbje në familjen e tij.
Dyzet e tre vjet më parë, nipi i tij, Yzeiri, u kthye i vdekur nga shërbimi ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ). Trupi i tij mbërriti në shtëpi në një arkivol të mbyllur – pa mundësinë që familja ta hapte dhe ta shihte.
Pamje të huazuara nga familja Sadiku. Homazhe në dhjetëvjetorin e vdekjes së Yzeir Sadikut.
Autoritetet ushtarake të kohës e përshkruan rastin si “vetëvrasje”, duke thënë se i riu ishte hedhur nga një objekt i lartë. Por, familja nuk e pranoi kurrë këtë version. Rrethanat ngritën dyshime tek ajo për maltretim apo edhe vrasje.
Sot, paralajmërimet e autoriteteve serbe për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak i kanë rikthyer Sadikut frikën e vjetër.
“I kam tre nipa, të cilët janë të pjekur për ushtarë, por unë nuk i lëshoj”, thotë 82-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.
Rikthimi i shërbimit ushtarak dhe shqetësimi i komunitetit shqiptar
Javë më parë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, deklaroi se vendi nuk ka hequr dorë nga rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili u hoq më 2011.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në shtator të vitit të kaluar se ka miratuar rikthimin e këtij shërbimi, i cili do të zgjaste 75 ditë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, deklaroi më 19 shtator se gjenerata e parë mund të fillojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fillim të vitit të ardhshëm. Ai tha se pret që gjatë seancës së vjeshtës në Kuvend, të shqyrtohet një paketë e re ligjesh për ushtrinë.
Sipas njoftimeve të tij të mëparshme, shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të vlejë për burrat nga 18 deri në 30 vjeç. Ai, gjithashtu, ka thënë se ata që refuzojnë të shërbejnë me armë për arsye të ndërgjegjes, do të përfshihen në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Ushtrinë e Serbisë, ku do t’u gjenden vende të përshtatshme për të kryer shërbimin ushtarak pa armë.
Kjo ka shqetësuar komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, pasi kujtimet e viteve ‘80 – kur në Jugosllavi u thelluan përçarjet etnike dhe u rrit presioni i Beogradit mbi shqiptarët – janë ende të gjalla.
“Nëse më vjen një ftesë e tillë, natyrisht që, si të gjithë të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës, do të jem i shqetësuar, për shkak të rasteve që kanë ndodhur më parë. Si i ri, kam frikë se mos përsëritet ajo histori e errët që u ndodhi ushtarëve shqiptarë në Ushtrinë jugosllave”.
Valoni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – mbush këtë vit 18 vjet. Ai thotë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak tashmë është bërë temë diskutimi mes shumë të rinjve në Luginën e Preshevës.
I vetëdijshëm për sanksionet e mundshme ligjore, Valoni thotë se nuk do t’i përgjigjej ftesës për shërbim ushtarak. Dhe në atë rast, sipas tij, zgjidhja e vetme do të ishte “largimi nga shtëpia dhe shteti”.
Tri komunat e Luginës së Preshevës.
Deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dorëzoi muajin e kaluar një propozim për krijimin e një komisioni të posaçëm, “me mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), gjatë viteve ’80”.

Shaip Kamberi.
Të dhënat për këta 135 ushtarë – emrat, mbiemrat, periudhat e shërbimit dhe vendet ku kanë shërbyer – Kamberi tha se i ka siguruar nga shoqatat në Kosovë, të cilat i grumbulluan nga familjarët dhe mediat.
“Çështje tjetër është se kur kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, do ta vendosë këtë propozim në rend dite për votim”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se, duke marrë parasysh se shumica e votave në Kuvend i përkasin Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, nuk është shumë optimist se propozimi do të miratohet.
Natasha Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, si pjesë e hulumtimit të kësaj organizate për humbjet njerëzore gjatë luftës në Kosovë më 1999, janë mbledhur edhe të dhëna për vuajtjet e shqiptarëve që shërbyen si ushtarë të rregullt në kazermat e APJ-së.

Natasha Kandiq.
Ajo thekson se këto të dhëna nuk janë të plota, por përmbajnë emrat dhe mbiemrat e ushtarëve, ndërsa burimi i tyre janë familjet ose mediat.
“Të dhënat tregojnë për rrethana të çuditshme, se në kazermat në Serbi ka pasur vetëvrasje të dyshuara”, thotë Kandiq.
Në tri raste, sipas saj, familjet morën njoftime për vetëvrasje, por dyshojnë në vërtetësinë e këtyre raporteve.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me kërkesën e deputetit Kamberi.
As Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk dha përgjigje për të sqaruar nëse ajo dhe Ushtria e Serbisë disponojnë informacione për vuajtjet e ushtarëve shqiptarë në kazermat e APJ-së dhe rrethanat e vdekjes së tyre.
“Vdekja e çoroditur” e një të riu: Tragjedia e Yzeir Sadikut
Vdekja e Yzeir Sadikut, 25 vjeç, gjatë shërbimit ushtarak la një plagë të pashlyeshme në familje, rrëfen axha i tij, Sadik Sadiku.
Ai tregon se Yzeiri kishte nisur shërbimin ushtarak në tetor të vitit 1981, pas pjesëmarrjes në protestat e të rinjve shqiptarë në Prishtinë, gjatë marsit dhe prillit të atij viti, për të kundërshtuar pozitën politike dhe juridike të Kosovës në Jugosllavi.

Sadik Sadiku.
Sadiku thotë se për këtë aktivitet, Yzeiri u thirr në biseda informative nga eprorët ushtarakë, më 11 dhe 12 prill 1982, në kazermën “Lora” në Split të Kroacisë, ku shërbente si marinar.
Një ditë më pas, vëllai i Yzeirit, Adem Sadiku, udhëtoi për në Split, pasi familja mori një telegram nga APJ-ja që e njoftonte se Yzeiri ishte sëmurë rëndë.
Pak më vonë, familjes iu dha lajmi se Yzeiri kishte vdekur. Sipas versionit zyrtar të autoriteteve ushtarake, shkaku i vdekjes ishte vetëvrasja – ai kishte kërcyer nga objekti ku po zhvillohej biseda informative.
Sadiku kujton se në Split, më pas, ka shkuar edhe babai tashmë i ndjerë i Yzeirit, Rrustemi, i cili me profesion ishte hoxhë.
Ai arriti ta shihte kufomën e të birit përpara mbylljes hermetike të arkivolit.
Sipas Sadikut, ai pa shenja dhune dhe torture në trupin e Yzeirit – çka bëri që familja të dyshonte se ai nuk u vetëvra, por u vra nga eprorët që po e merrnin në pyetje.
Rënia e të rinjve shqiptarë në APJ
Yzeiri nuk ishte i vetmi i ri shqiptar që u kthye i vdekur nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ).
Gjatë viteve ‘80 deri në fillimin e viteve ’90, APJ-ja dërgoi me arkivole në shtëpi dhjetëra të rinj shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera të banuara me shqiptarë.
Një nga këto histori tragjike është ajo e Abedin Krasniqit nga Kosova, i cili humbi jetën në shkurt të vitit 1992.
Nënës së tij, Mihanes, mosha nuk ia ka zbehur asnjë detaj të asaj kohe.
“Gati se nuk ka ditë që nuk qaj. Çka të bëj… nuk ka njeriu çfarë të bëjë”, thotë Mihanja për Radion Evropa e Lirë.
Autoritetet ushtarake të APJ-së ia sollën kufomën e të birit deri në hyrje të fshatit Bardh i Vogël në Fushë Kosovë, ku familja Krasniqi jeton edhe sot.

Mihane Krasniqi.
Urdhrin e tyre që arkivoli i mbyllur hermetikisht të mos hapej, familjarët nuk e zbatuan.
Mihanja donte të ndahej me të birin para se të varrosej, në praninë e mijëra qytetarëve.
Abedini, asokohe 21 vjeç, kishte nisur shërbimin ushtarak në APJ në Manastir të Maqedonisë së sotme të Veriut. Në shtator të vitit 1991, ai u transferua në Knin të Kroacisë, në frontin e luftës që shpërtheu pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë.
Familjari i tij, Fadil Krasniqi, thotë se Abedini fillimisht ishte paraburgosur, për shkak se kishte refuzuar urdhrin e eprorëve për t’u përfshirë në luftë kundër forcave kroate.
Familjarët dyshojnë se gjatë qëndrimit në paraburgim, ai ishte torturuar.
Sipas Fadilit, Abedini, më 11 shkurt të vitit 1992, u dërgua në një shtëpi të kujdesit shëndetësor në kuadër të ushtrisë në Knin dhe aty humbi jetën. Sipas raportit zyrtar të APJ-së, ai ishte vrarë rastësisht nga një ushtar serb, por familja nuk e besoi këtë version.
Dyshimet e familjes u konfirmuan më vonë edhe nga dënimi simbolik i autorit të vrasjes.
Në prill të vitit 1992, Rodolub Donoviq u gjykua në gjykatën ushtarake në Banja Llukë.
Ai mori 2.5 vjet burg për veprën penale “shkelje nga pakujdesia e shërbimit të rojes, patrullimit dhe të ngjashme”.
Një vit më vonë, pas apelit në Gjykatën Supreme Ushtarake në Beograd, dënimi i tij u ul në një vit burg.
Familjarët e Abedinit kërkuan nga institucionet e atëhershme të Kosovës që të zbardhej e vërteta, por nuk morën kurrë përgjigje.
Që nga fillimi i viteve ’90, në ato institucione u instaluan masat represive të Serbisë dhe shumica e shqiptarëve u pushuan nga puna.
KMDLNJ: Nuk kanë qenë vetëvrasje, por ekzekutime
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë (KMDLNJ), i themeluar në vitin 1989, ka grumbulluar të dhëna për ushtarët shqiptarë që humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit në APJ.
Drejtori aktual i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se incidentet me ushtarët shqiptarë u shtuan pas demonstratave në Kosovë në vitin 1981, kur shqiptarët kërkonin avancimin e pozitës juridike dhe politike të Kosovës brenda Federatës jugosllave.
Sipas Shalës, KMDLNJ-ja ka dokumentuar rreth 115 raste të vdekjeve të dyshimta të të rinjve shqiptarë në APJ.
Për shumicën e këtyre rasteve, raportet zyrtare të autoriteteve ushtarake i paraqisnin vdekjet si vetëvrasje ose aksidentale.
Ai shpjegon se gjatë viteve ’80, verifikimi i mënyrës së vdekjes nga ekspertë të pavarur ose familjet ishte pothuajse i pamundur, pasi kufomat e të rinjve shqiptarë iu kthyen familjeve në arkivole të mbyllura hermetikisht.
Në ceremonitë mortore lejohej të merrnin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes, gjithmonë nën vëzhgimin e autoriteteve ushtarake dhe të sigurisë. Megjithëse kjo praktikë, ndonjëherë, nuk është respektuar plotësisht gjatë viteve ‘80, me fillimin e viteve ’90, situata ka ndryshuar tërësisht, sipas Shalës.
“Atëherë, Jugosllavisë nuk i interesonte më nëse familjet hapnin arkivolet. Në njëfarë mënyre, vrasja e shqiptarëve u bë rutinë dhe u përdor si mjet politik për të arritur qëllime të caktuara”, thotë Shala dhe shton se KMDLNJ-ja, atëkohë, u ka rekomanduar familjeve t’i hapnin arkivolet për t’i parë të afërmit e tyre.
Dhe kjo, shpesh, zbulonte se nuk bëhej fjalë për vetëvrasje.
Shala shton se rreth 70 për qind e këtyre vrasjeve kanë ndodhur jashtë territorit të Serbisë, në republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, “për të mos ngjallur dyshime në opinionin publik”.
Mosbesimi i arsyeshëm
Situatën e përshkruan ngjashëm edhe deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi. Sipas tij, familjarët e një numri të të rinjve shqiptarë që humbën jetën gjatë shërbimit në APJ, i kanë hapur arkivolet dhe kanë konstatuar se versioni zyrtar – vdekje si “vetëvrasje” ose “incident fatal” – nuk përputhej me realitetin.
Edhe Kandiq beson se familjet e ushtarëve, por edhe deputeti Kamberi kanë të drejtë të kërkojnë hetimin e këtyre rasteve dhe publikimin e dokumentacionit ekzistues. Sipas saj, të dhënat duhet të gjenden në arkivat e Ushtrisë së Serbisë.
“Nëse do të formohej një komision anketimi, do të duhej të bazohej në të dhënat e disponueshme dhe më pas duhet të pritet që autoritetet shtetërore t’i japin të dhënat. Kështu siç është tash, kjo mbetet gjithmonë një pyetje e hapur”, thotë Kandiq.
Ajo shton se do të ishte e dobishme nëse ndonjë institucion në Kosovë do t’i grumbullonte të gjitha të dhënat e disponueshme nga burime të ndryshme brenda vendit.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kandiq përmend edhe një ngjarje që, siç thotë, tronditi opinionin në ish-Jugosllavi, më 3 shtator të vitit 1987.
Sipas autoriteteve të APJ-së, në kasermën në Paraqin të Serbisë, ushtari shqiptar nga Kosova, Aziz Kelmendi, nga fshati Karaçicë e Shtimes, pretendohet se me armë automatike qëlloi për vdekje katër ushtarë dhe plagosi disa të tjerë. Autoritetet raportuan se Kelmendi u gjet i vetëvrarë disa qindra metra larg kazermës.
Kandiq thotë se pas kësaj ngjarjeje, autoritetet duket se toleruan qëllimisht shmangien e shërbimit ushtarak nga ana e shqiptarëve, të cilët largoheshin jashtë vendit për të mos e kryer këtë detyrim.
Kamberi tani shpreh dronë se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të cilin po e paralajmërojnë autoritetet serbe, ka pikërisht këtë qëllim – shmangien e këtij detyrimi nga ana e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe largimin e tyre.
Ndaj, thotë ai, çështja e shërbimit të detyrueshëm nuk prek vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Familjet shqiptare po përballen me zgjedhje të vështira, thotë edhe Sadiku.
“Jemi mes dy zjarreve: mos ta lejoj të shkojë ushtar, ose të marrë valixhen dhe të largohet në Gjermani ose Zvicër”.