Kurti kujton protestën e 1 tetorit: Protesta studentore i paraprin luftës së UÇK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, duke thënë se kjo ngjarje e ka thyer dhe shembur figurën e mitizuar të “policit serb” të sfidueshëm.

Kurti tha se protesta e kthyer në demonstratë popullore i paraprin luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Protesta e 1 tetorit 1997, e theu dhe shembi figurën e mitizuar të ‘policit serb’ të sfidueshëm siç e prishi edhe pasivitetin e tejzgjatur të rezistencës së viteve të fundit. Protestat studentore të kthyera në demostrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkëngjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999. Duke i kujtuar shokët dhe shoqet studentë, profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe mijëra e mijëra qytetarë që patën vetëdijen dhe guximin për t’iu bashkuar lëvizjes studentore të UP-së në atë etapë aq të rëndësishme të rrugës së popullit të Kosovës drejt çlirimit të saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Derisa ai shtoi se kjo rezistencë paqësore e popullit të Kosovës i ka treguar regjimit kriminal të Serbisë në Jugosllavi dhe botës demokratike në Perëndim, që shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në rezistencën e tyre për jetësimin e vullnetit të tyre politik: për liri dhe për shtetndërtim.

“Që nga viti 1991, regjimi i apartheidit i Serbisë që ishte instaluar në Kosovë mes viteve 1989 – 1991, i kishte përjashtuar studentët dhe profesorët nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, siç kishte bërë edhe me nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të mesme. Deri në shpërthimin e luftës në Kosovë, rreth 3000 shtëpi dhe lokale private u adaptuan në ambiente të improvizuara për zhvillimin e sistemit arsimor, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.