Bujar Osmani sonte para qytetarëve të Çairit premtoi krijimin e ndërmarrjes komunale të higjienës me 120 punësime të drejtpërdrejta, me përgjegjësi për çdo rrugë.
“Pastërtia nuk është çështje estetike, por çështje shëndeti”. Ai i cilësoi parqet “të mbushura me bërllog”, ndërsa theksoi se Çairi “është shpallur komuna më e papastër në Shkup”.
Një nga akuzat më të rënda: ndërtesat komerciale pa plan që, sipas tij, kanë marrë ujin e familjeve në Gazibabë dhe kanë rënduar rëndë trafikun e Çairit.
“Nuk do ketë më ndërtesa pa leje komerciale… ato që janë me plan – po, por për të marrë 300.000 euro në xhep pa paguar taksa në komunë, nën vëzhgimin tim nuk do ndodhë kurrë. Ata që kanë blerë banesa, në ndërtesa pa leje dhe që janë manipuluar, atyre dua t’u dërgoj mesazh se nuk do jenl viktimë e atij manipulimi. Ata do i ruajnë banesat e tyre, dhe ne do gjejmë mënyrë për t’i legalizuar ato. Po, ndërtesa pa leje, në asnjë pëllëmbë të komunës, e them sot publikisht dhe insistoj që të inçizohen të gjitha fjalitë e mia për shkak se nesër dua të më mbani llogari për atë që them”
Duke e lidhur urbanizimin me jetueshmërinë, Osmani paralajmëroi kufij të qartë: hapësira publike, gjelbërim, trotuare dhe qarkullim i sigurt për këmbësorët – “jo komunë e ndërtesave dhe veturave”.
Osmani foli për 40% të dritave jofunksionale.
“Kjo i bën rrugët të pasigurta. Nënat me fëmijë nuk mund të ecin nëpër rrugë të errëta”.
Në fund, ai përmblodhi ofertën politike jo si listë dëshirash, por si kontratë integriteti.
“Kam hyrë me tre premtime: ndershmëri, disiplinë dhe përkushtim… Qytetarët kërkojnë punë të palodhshme dhe llogaridhënie”.