Me pjesëmarrje masive të banorëve të Labunishtës, Mendi Qyra, kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Strugës, hapi zyrtarisht fushatën e tij zgjedhore, i mbështetur fuqishëm nga koalicioni VLEN dhe lista e kandidatëve për këshilltarë komunal.
“Labunishta është vendi ku sakrifica, puna dhe mërgimi kanë shkruar histori. Por është edhe vendi i premtimeve të pambajtura. Për 20 vite me radhë na sunduan të njëjtët njerëz me fjalë boshe. Kjo duhet të marrë fund!” – u shpreh Mendi Qyra në fjalimin e tij.
Qyra prezantoi projektet konkrete për Labunishtën: ndërtimin e një parku me fusha sportive, hapjen e një çerdheje për 150 fëmijë, zyrë administrative, legalizimin e hapësirës së pensionistëve dhe hartimin e planit urbanistik.
Po ashtu, ai zbuloi edhe vizionin për të gjithë Strugën, duke përfshirë: zgjidhjen e problemit me deponinë, ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësore, projektimin e ujësjellësit pa gypa azbesti, rregullimin e plazheve, krijimin e strehimores për qentë endacakë, si dhe më shumë parqe, aktivitete kulturore dhe sportive.
Në mbrëmjen e hapjes folën edhe përfaqësuesit e koalicionit VLEN, të cilët theksuan se mbështetja për Mendi Qyrën është dëshmi e qartë se qytetarët e Strugës janë të bashkuar për ndryshim.
“Me 19 tetor, Struga vendos të ardhmen e saj. Me numrin 133 për kryetar dhe numrin 7 për Listën e Këshilltarëve të VLEN, qyteti ynë do të ketë qeverisjen që meriton – transparente, të përgjegjshme dhe zhvilluese” – përfundoi Qyra, duke dhënë thirrjen për mobilizim të madh qytetar.