Hungaria ka bërë të ditur të hënën se ka bllokuar qasjen në 12 faqe lajmesh ukrainase pas një veprimi të ngjashëm nga Kievi, duke përkeqësuar marrëdhëniet midis dy fqinjëve të cilat kanë qenë të tensionuara prej që ka nisur lufta në Ukrainë.
Ukraina ka bllokuar në fillim të këtij muaji faqe të ndryshme interneti që konsideroheshin se përmbanin pikëpamje pro-ruse me kërkesë të shërbimeve të sigurisë. Ato përfshinin tetë portale në gjuhën hungareze, midis tyre një faqe lajmesh të njohur pro-qeveritare, raporton Reuters.
“Një vend sovran duhet të japë një përgjigje proporcionale ndaj një sulmi krejtësisht të pajustifikuar”, ka thënë shefi i stafit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, Gergely Gulyas, në një postim në Facebook të hënën, duke njoftuar masën.
Shumica e faqeve të internetit të synuara nga Hungaria lexohen gjerësisht në Ukrainë. Njëra prej tyre, European Pravda, ndjek nga afër aspiratën e Ukrainës për anëtarësim në BE dhe përpjekjet e Hungarisë për ta bllokuar atë.
Gulyas ka thënë se Ukraina i ndaloi portalet hungareze sepse ato shkruan në mënyrë kritike për sanksionet kundër Rusisë dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe kritikuan aleancën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s si të fragmentuara dhe joefektive.