Mexhiti: Çairi do të jetë prijës i së mirës si gjithmonë

Fjalimi integral i kandidatit të VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti nga konferenca e sotme e shtypit.

Sot qëndroj para jush, si njëri prej jush.
Si fqinj, si mik dhe si bashkëveprimtar i juaji.
Qëndroj këtu për të shpallur rikthimin tim në Çair.
Rikthimin tim në vendin ku i përkas, mes njerëzve që ju përkas, në zemër të Çairit. Shumëkush ndoshta mund të pyesë pse po kandidohem për kryetar komune.

Përgjigjja është e thjeshtë dhe vjen nga zemra: sepse obligimi im më i madh nuk është ndaj funksionit, por ndaj njerëzve.
Sepse pashë që vendimet për të ardhmen tonë nuk guxojnë më të merren në zyra të mbyllura, larg nevojave reale të qytetarëve.
Ndryshimi i vërtetë ndodh këtu, në rrugët tona, në lagjet tona, në jetën tonë të përditshme. Gjatë një viti e gjysmë të kaluar, e kemi rikthyer Çairin lart në agjendën e Qeverisë: kemi siguruar zhbllokimin e të gjitha projekteve dhe fondeve që kanë të bëjnë me Çairin, por edhe me komunat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Kemi siguruar dhjetëra miliona euro për secilën nga komunat ku jetojmë. Çairi tashmë është një kantier ndërtimi. E shihni këtë rreth jush.

Tani është koha për punë, për realizimin e projekteve, për investimin e fondeve dhe mjeteve të siguruara.
Tani është koha për zgjidhjen e kaosit në trafik dhe problemit me parkimin.
Tani është koha për zgjidhjen e problemit me pastërtinë.
Tani është koha për çerdhe të reja dhe për futjen e mësimit me një ndërrim dhe tërë ditor në shkollat tona në Çair. Tani është koha për festivale kulturore, për një Çarshi të gjallë, për një Kala të Shkupit të hapur dhe kulturore.
Tani është koha për një Çair
si qendër studentore, arsimore dhe kulturore për shqiptarët. Çairi nuk e meriton të jetë vetëm një fushë për realizim të karrierave boshe politike. Çairi nuk meriton udhëheqës të deleguar që zbatojnë agjenda politike të huaja.
Çairi meriton punë, vizion dhe vepra konkrete.
Kjo nuk është vetëm një kandidaturë për kryetar komune.
Ky është fillimi i një misioni për çlirim nga monopoli njëpartiak.
Një mision për thyerjen e sistemit të vjetër dhe të korruptuar të një partie, që i mbajti shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Çairit në varësi, frikë dhe pasiguri.
Thelbi i demokracisë është ndryshimi, pluralizmi, e jo sundimi i një partie që identifikohet me shtetin.
Është koha që t’i japim fund këtij monopoli, dhe Çairi të jetë sërish prijës, si gjithmonë!

Vizionin tonë e kemi të qartë:
Çairi të bëhet një komunë moderne, funksionale dhe evropiane.
Një vend ku çdo qytetar do të jetojë me dinjitet.
Prandaj, programi ynë nuk është një listë dëshirash, por një plan konkret dhe i realizueshëm që tashmë kemi filluar ta zbatojmë.
Ndërsa të tjerët flasin, ne veprojmë. Prioritetet tona janë problemet tuaja më të mëdha:
* Trafiku dhe parkimi: Kaosi duhet të marrë fund. Do të ndërtojmë
parking nëntokësor te sheshi “Skënderbeu”, garazh me kate te kompleksi
“Çairçanja” dhe garazhe të montueshme në Fushë Topanë dhe te salla
“Partizani”. Do t’i zgjerojmë përfundimisht arteriet kyçe si rruga
“Cvetan Dimov” për të lehtësuar qarkullimin.
* Pastërtia dhe mjedisi jetësor: Çairi nuk do të jetë më sinonim i papastërtisë. Do të implementojmë një sistem modern të menaxhimit të mbeturinave, do të pastrojmë deponitë e egra dhe do të krijojmë hapësira të reja të gjelbra. Rrugët tona do të jenë të pastra dhe parqet tona të sigurta për fëmijët.
* Të rinjtë, arsimi dhe ekonomia: Të rinjtë nuk janë e ardhmja jonë – ata janë e tashmja jonë. Për këtë do të themelojmë inkubator biznesi për startup kompanitë dhe një Fond Lokal Inovativ për të rinjtë sipërmarrës. Do të investojmë në rikonstruksion të plotë të shkollave, zbatimin e tabelave inteligjente dhe krijimin e kushteve moderne për arsim. Fëmijët
tanë meritojnë më të mirën.
* Kultura dhe sporti: Do ta rikthejmë shkëlqimin e jetës kulturore në Çair. Do të mbështesim artistët lokalë, do të ringjallim manifestimet kulturore dhe do të investojmë në infrastrukturën sportive që të rinjtë tanë të zhvillojnë talentin e tyre.

Të dashur bashkëqytetarë, të dashur çairas, Karrierën time e kam ndërtuar këtu, me ju.
Gjithmonë kam qenë i qasshëm dhe gjithmonë do të jem.
Dyert e komunës do të jenë të hapura për të gjithë, pa dallim përkatësie partiake apo etnike.
Do të punojmë me transparencë, përgjegjësi dhe në komunikim të vazhdueshëm me ju. Kjo është beteja jonë e përbashkët.
Një betejë për një Çair siç e ëndërrojmë të gjithë. Ju ftoj të na bashkoheni. Të qëndrojmë bashkë dhe të tregojmë se koha e
ndarjeve dhe gënjeshtrave ka përfunduar. Është koha për punë, për rregull dhe për zhvillim!
Është koha për Çairin!