Padia e Erion Veliajt kundër shkarkimit të tij ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese.
Njoftimi për padinë në Kushtetuese u shpërnda në media nga avokatët e tij, të cilët kishin vepruar me stil gazetaresk, duke identifikuar edhe titujt ku duhet të fokusoheshin gazetarët.
Në fakt ishte më shumë një sulm i hapur ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon se po kap pushtetet, jo vetëm pushtetin vendor, por edhe atë gjyqësor.
Në një një paragraf, që për Veliajn duhet të ishte i dukshëm, ai thotë se Rama ka shkelur rëndë Kushtetutën.
“Këshilli i Ministrave, në krye të vendimit të shkarkimit, ka cituar si bazë ligjore vetëm nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, sikur këto dispozita të ishin të mjaftueshme për të justifikuar kompetencën e tij. Me këtë qasje, do të pretendojë para kësaj Gjykate se akti nuk ka dalë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës. Por një pretendim i tillë është tërësisht i pabazë. Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ka përcaktuar shprehimisht se në cilat raste mund të shkarkohet Kryetari i Bashkisë. Në mungesë të një autorizimi kushtetues, ligjvënësi nuk mund të shtojë vetë raste të tjera shkarkimi që nuk përfshihen në këtë parashikim dhe që Kushtetuta nuk i ka autorizuar që ligjvënësi ti bëjë. Për më tepër, edhe nëse i referohemi nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky i fundit parashikon vetë se është nxjerrë “në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës”, pra nuk mund të kuptohet dhe as të zbatohet i shkëputur nga neni 115, që është burimi i vetëm kushtetues i kompetencës për shkarkimin e një organi vendor të zgjedhur,” thuhet në padi.
“Nëse kjo qasje do të pranohej, do të krijohej një precedent i rrezikshëm: çdo dispozitë ligjore e ardhur më pas, në vend që të zbatohej në përputhje me Kushtetutën, mund të përdorej si bazë për të anashkaluar ose relativizuar dispozitat kushtetuese. Kjo do të zhdukte funksionin e Kushtetutës si akt suprem, duke e shndërruar atë në një dokument deklarativ pa fuqi reale kufizuese mbi pushtetet. Një situatë e tillë do të rrënonte jo vetëm parimin e shtetit të së drejtës, por edhe garancitë e vetëqeverisjes vendore, sepse mandati i zgjedhur nuk do të ishte më i mbrojtur nga Kushtetuta, por i varur nga interpretimet e rastit të një ligji të zakonshëm ose të një akti të ekzekutivit. Në jurisprudencën kushtetuese është theksuar se parimi i shtetit të së drejtës i detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese,” thekson më tej padia.
“Në këtë logjikë, Gjykata Kushtetuese është gjithmonë kompetente për të shqyrtuar kërkesat që synojnë shfuqizimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarëve të bashkive. Të pranohej e kundërta do të thoshte se përmes një akti ligjor ose nënligjor mund të arrihet zhveshja e Gjykatës Kushtetuese nga kompetencat që vetë Kushtetuta i ka dhënë, gjë që do të përmbyste hierarkinë e burimeve të së drejtës dhe do të hapte rrugën për instrumentalizimin e ligjit si mjet për të anashkaluar kontrollin kushtetues. Në thelb, nuk mund të përdoren instrumente të cilat, përdorin interpretime antikushtetuese të dispozitave ligjore, duke pretenduar ekzistencën e shkaqeve të reja të shkarkimit, përtej atyre kushtetuese, me synimin e arritjes së një rezultati që Kushtetuta nuk e ka parashikuar. Një qasje e tillë, përveçse e papranueshme në një shtet të së drejtës, do të rrënonte vetë funksionin e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e rendit kushtetues dhe e parimeve kushtetuese, si p.sh. ndarja e pushteteve,” shprehen avokatët e Veliajt.
Me këtë akt, Erion Veliaj ka bllokuar zgjedhjet në Tiranë, por mbi të gjitha i ka hapur luftë Edi Ramës, duke e akuzuar atë si autokrat.
© SYRI.net