Udhëheqësit e Hungarisë dhe Sllovakisë kritikojnë ashpër BE-në

Kryeministri hungarez, Viktor Orban dhe kryeministri sllovak, Robert Fico janë shfaqur së bashku të dielën për 130-vjetorin e ndërtimit të një ure që lidh dy vendet e tyre.

Ura Maria Valeria lidh Sturovon në Sllovaki dhe Esztergomin në Hungari, përtej lumit Danub.

Të dy udhëheqësit vazhdojnë të mbeten të vetmit në në Bashkimin Evropian të cilët po rezistojnë ndërprerjen e lidhjeve me Moskën, raporton AP.

Të dy kryeministrat kanë kundërshtuar lëvizjet e shpejta për të hequr gradualisht naftën dhe gazin rus, duke përmendur kostot ekonomike dhe sigurinë energjetike, edhe pse pjesa më e madhe e Evropës është përpjekur të zvogëlojë varësinë nga furnizimet e kontrolluara nga Kremlini.

“Askush nuk duhet të na tregojë se nga të blejmë naftë dhe gaz”, ka thënë Fico në Esztergom, në anën hungareze të urës.

“Dhe unë ndaj pikëpamjet e kryeministrit të Hungarisë se vendimi politik ideologjik për ta shkëputur plotësisht Evropën nga nafta dhe gazi rus jo vetëm që do ta dëmtojë më shumë Hungarinë dhe Sllovakinë, por do ta dëmtojë ndjeshëm të gjithë Bashkimin Evropian”, ka shtuar udhëheqësi sllovak.

E kryeministri hungarez ka thënë se BE-ja është bërë një projekt lufte.

“Tani, kur Brukseli flet për paqen në Evropë, në të vërtetë do të thotë luftë”, ka shtuar Oraban.

Qëndrimi i Orbanit dhe Ficos pasqyron strategji më të gjera politike të ndërtuara mbi retorikën populiste, nacionaliste dhe qeverisjen joliberale, duke sfiduar normat e BE-së mbi kontrollet dhe balancat demokratike.

Kritikët argumentojnë se pozicionet e tyre miqësore me Kremlinin rrezikojnë të minojnë frontin e bashkuar të Evropës kundër luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërsa forcojnë pushtetin e tyre të brendshëm.