Nxënësit në Llopat me dekada mësojnë nën çati me azbest, MASH nuk e ka në plan rikonstruimin e shkollës as në vitin 2026

Nxënësit e Shkollës Fillore Komunale “Kongresi i Manastirit” në fshatin Llopat të Komunës së Kumanovës vazhdojnë të mësojnë në objekt me çati të azbestit dhe kushte të këqija. Pavarësisht rrezikut dhe nevojës së madhe për rikonstruim, në këtë shkollë nuk pritet të intervenohet as një vitin e ardhshëm, shkruan Portalb.mk.

Nxënësit në “Kongresin e Manastirit” vijojnë procesin shkollorë nën çatinë me azbest, substancë jo e preferuar dhe rrezik potencial për shëndetin.

“10 vitet e fundit është gjë që duhet patjetër të bëhet, ndërrimi i kulmit të shkollës për shkak se faktikisht çatia që është e mbuluar me disa pllaka të cilat sot janë edhe të ndaluara. Hasim probleme, uji depërton deri në klasë”, tha për Portalb.mk drejtori i shkollës, Shpend Muhtari.

Drejtori theksoi se ka marrë premtime nga institucionet përkatëse se do ketë rikonstruim të shkollës.

“Pas legalizimit të objektit të shkollës nga ana e komunës, është bërë projekti, dhe projekti është aplikuar deri në ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Presim se do të realizohet në të ardhmen. Çdo herë kur kemi komunikuar me to, na kanë thënë se do të mundohen sa më shpejt të realizohet”, tha Muhtari.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë siguruar se pjesë e planit të investimeve është edhe shkolla “Kongresi i Manastirit”, por pa detaje të sakta se kur do t’i vijë radha.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka parasysh edhe shkollën e përmendur në fshatin Llopat, për të cilën është përgatitur projekti i plotë dhe dokumentacioni teknik për rindërtim dhe projekti do të zbatohet në periudhën e ardhshme, por që nuk parashihet në programin e vitit 2026”, thanë për Portalb.mk nga MASH

Ndryshe, pjesa e vjetër e shkollës në Llopat është ndërtuar më vitin 1965, ndërkaq pjesa e re në vitin 1988.

Kujtojmë që edhe para një dekade Portalb.mk trajtoi problemet në shkollën “Kongresi i Manastirit”, të cilat mbeten të pazgjidhura edhe sot.