Asnjë grua shqiptare në betejë për kreun e komunës në RMV

Asnjë grua shqiptare nuk është kandidate për kryetare komune në zgjedhjet lokale 2025 në Maqedoninë e Veriut. Nga gjithsej 315 kandidatë për kryetarë komunash në këto zgjedhje, vetëm 32 janë gra. Situata është pak më e mirë te listat për këshilltarë, kjo për shkak të kuotave të garantuara. Shoqëria civile alarmon se përderisa gratë, gjysma e popullsisë mbeten jashtë vendimmarrjes nuk mund të ketë shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse, shkruan Portalb.mk.

Në prag të zgjedhjeve lokale të këtij viti, skenari i viteve të kaluara po përsëritet: partitë politike kryesisht ato shqiptare, sërish, kanë dështuar të propozojnë gra për kryetare komunash. 

Këto zgjedhje sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të ketë 315 kandidatë për kryetarë komunash prej të cilëve 283 janë burra dhe 32 gra, prej të cilave asnjë nuk është shqiptare. 

Situata qëndron më mirë te listat për këshilltarë komunalë, por kjo për shkak të kuotave ku në çdo tre kandidatë një duhet të jetë grua. Nga 10.598 kandidatë për këshilltarë 5.822 janë burra dhe 4.776 gra. 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas drejtoreshës së Institutit për Lidership dhe Politika PublikePranvera Kasamit ky boshllëk i madh gjinor është reflektim i dy fenomeneve të ndërlidhura: strukturës patriarkale të shoqërisë dhe mungesës së vullnetit politik për të krijuar hapësira të barabarta për gratë.

“Shumë shpesh, gratë mbeten vetëm në lista për këshilla komunale, ndërsa pozitat udhëheqëse si ajo e kryetarit të komunës rezervohen pothuajse ekskluzivisht për burrat. Nëse duam një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse, nuk mund të pranojmë që gjysma e popullsisë, gratë, të mbeten jashtë vendimmarrjes. Kjo gjendje kërkon reflektim të menjëhershëm, reforma brenda partive dhe nisma konkrete për fuqizimin politik të grave shqiptare. Përndryshe, çdo retorikë për barazi gjinore mbetet vetëm fjalë boshe”, tha Kasami. 

Këto të dhëna sipas Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” tregojnë dështimin e partive politike, sidomos atyre shqiptare, për të krijuar hapësira për përfaqësim të barabartë.

“Kufizimi i grave vetëm në listat për këshilltarë falë kuotave ligjore është dëshmi e mentalitetit patriarkal që dominon politikën në këtë vend. Demokracia dhe gjithëpërfshirja nuk mund të ekzistojnë pa gra në nivelet më të larta të vendimmarrjes. Mollëkuqja bën thirrje që partitë politike të reflektojnë, të marrin përgjegjësi dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të fuqizuar gratë shqiptare në politikë, përndryshe barazia gjinore do të mbetet vetëm retorikë bosh”, thanë nga Mollëkuqja.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e kaluara lokale në 2021 vetëm dy gra u zgjodhën për kryetare komunash, Danella Arsovska në Qytetin e Shkupit dhe Zhaklina Jovanovska në Staro Nagoriçan.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 rezultati ishte më i mirë, gjashtë gra u zgjodhën për kryetare komunash. 

RMV-ja nuk qëndron mirë me përfaqësimin e grave as në ekzekutiv. Nga 24 ministra, vetëm 3 janë gra, asnjëra shqiptare.

Në Kuvend situata qëndron më mirë për shkak të kuotave, ku nga 120 deputetë mbi 40 janë gra. 

Maqedonia e Veriut në vitin 2024 për herë të parë në histori zgjodhi për presidente një grua, Gordana Siljanovska Davkovën.