Mexhiti: Bit Pazari është themeli i jetës tregtare në Çair, do ta modernizojmë dhe do i përmirësojmë kushtet për tregtarët

Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherit kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti sot gjatë vizitës që bëri në Bit Pazar, theksoi rëndësinë e veçantë që ka ky vend për zhvillimin ekonomik dhe social.

“Bit Pazari ka rëndësi të veçantë për Çairin. Këtu çdo ditë punojnë qindra tregtarë, e nga ky treg mbahen mijëra familje. Ky vend ende mbetet qendra kryesore e tregtisë tradicionale, ku fermerët dhe prodhuesit lokal lidhen drejtpërdrejt me qytetarët, duke gjeneruar gjallëri ekonomike dhe duke mbajtur të fortë biznesin e vogël”, u shpreh Mexhiti.

Ai shtoi se Bit Pazari është baza mbi të cilën ndërtohet e gjithë jeta tregtare e Çarshisë.

“Për Çarshinë, Bit Pazari është themeli mbi të cilin ndërtohet jeta tregtare. Çdo aktivitet aty reflekton në zhvillimin e gjithë zonës përreth, duke e mbajtur aktive ekonominë dhe duke i dhënë fuqi familjeve që jetojnë nga puna e ndershme”, deklaroi ai.

Mexhiti paralajmëroi se investimet e ardhshme do të fokusohen në modernizimin e këtij tregu të rëndësishëm.

“Ne e kemi përqendruar vëmendjen tonë tek investimet në Bit Pazar. Synimi ynë është ta modernizojmë, të përmirësojmë kushtet për tregtarët dhe të krijojmë hapësira më funksionale për bizneset. Çdo investim këtu është një hap i drejtpërdrejtë drejt rritjes ekonomike të Çarshisë dhe forcimit të mirëqenies për banorët e Çairit”, theksoi Mexhiti.

Më tej ai u bëri thirrje qytetarëve për mbështetje në zgjedhjet e 19 tetorit.

“Më 19 tetor, me mbështetjen tuaj, do ta vazhdojmë këtë drejtim, që edhe Bit Pazari të jetë vend i zhvillimit, i tregtisë së fortë dhe i fuqisë së ekonomisë lokale”, shtoi Mexhiti.