Mexhiti: “Lagjja e Gazi Babës dhe Çairi do të jenë kampionë të zhvillimit”

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë vizitës së tij në lagjen e njohur si Malboro në Gazi Babë, ka shprehur vizionin e tij për zhvillimin e komunës dhe transformimin e saj në një hapësirë moderne dhe funksionale.

“Lagjja e Malboros ka historinë e saj krenare, të lidhur me ekipin legjendar të futbollit të vogël në Shkup. Ashtu si dikur ky ekip që fitoi respekt dhe lavdi, sot edhe kjo lagje do të bëhet kampione – kampione në zhvillim, kampione në ndërtim, kampione në sigurinë e banorëve të saj,” u shpreh Mexhiti.

Ai theksoi se vizioni i tij për Çairin është i bazuar në investime të prekshme, që do të sigurojnë kushte më të mira për banorët: rrugë të rregulluara, infrastrukturë të qëndrueshme, siguri dhe mirëqenie.

“Më 19 tetor, Gazi Baba dhe i gjithë Çairi do të shpallen kampionë të një epoke të re. Fitorja do të jetë madhështore, sepse ky vend gjithmonë ka pasur madhështi,” deklaroi kandidati i VLEN.

Sipas tij, banorët e Çairit meritojnë më të mirën, dhe sfida kryesore është përballja me të keqen, me krimin dhe me ata që e kanë penguar zhvillimin e komunës.

“Mesazhi ynë është i qartë: një Çair kampion, një Gazi Babë fitues nga çdo garë, ashtu si dikur ekipi i paharruar i Malboros,” përfundoi Mexhiti.