AUV rithekson se prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje.
“Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm. Ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje, veçanërisht në përgatitje si “crudo”, sushi apo sashimi. Në këto raste, peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi”, thuhet në raport.
AUV thekson se kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore.
Agjencia tutje thekson se këto standarde janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore), FAO (Organizata e OKB për Ushqim dhe Bujqësi).
“Theksojmë edhe njëherë se, në rastin kur ky produkt përdoret sipas udhëzimeve, domethënë përmes përgatitjes termike (gatimit) apo ngrirjes ai nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Gjithashtu ftojmë të gjithë qytetarët, mediat dhe institucionet relevante që të bazohen në informacione të sakta dhe profesionale, dhe të shmangin interpretimet e gabuara që mund të shkaktojnë panik të panevojshëm në publik. Institucionet përgjegjëse në këtë raste AUV vazhdon të mbikëqyr dhe kontrollojë në mënyrë rigoroze sigurinë ushqimore në treg, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.