“Rruga jonë drejt Brukselit i ngjan një maratone, një maratone që ndonjëherë mendoj se mund ta pyesim veten “a po presim Godonë”. Ne e filluam maratonën tonë në vitin 2005 kur na u dha statusi i kandidatit. Sot, shpesh përdoret shprehja se Evropa është një simfoni e papërfunduar pa Ballkanin Perëndimor, dhe interesi për rajonin u rrit tre vjet më parë kur, për fat të keq, filloi lufta në Ukrainë”, tha Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova para studentëve në Universitetin Columbia në New York, ku mbajti një leksion si pjesë e Forumit Botëror të Lidershipit.
Ajo shpjegoi para komunitetit akademik rezultatin e shtyrjes së pafundme të premtimit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.
“Ne, popujt e Ballkanit, gjithmonë e kemi konsideruar veten evropianë, sepse gjithmonë kemi qenë gjeografikisht, historikisht dhe veçanërisht kulturorisht pjesë e Evropës. Tani procesi i zgjerimit është rikthyer në axhendën e BE-së, por jo për hir të një Unioni më të madh, por për hir të stabilitetit dhe sigurisë. Dhe ky është një shans i mirë për ne që të jemi në axhendë për një farë kohe dhe të shfrytëzojmë momentin. Por, në 30 vitet e fundit, ne jemi përpjekur shumë herë të shfrytëzojmë momentin dhe rezultati është 36 ndryshime në Kushtetutën tonë”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Presidentja kritikoi edhe qasjen e BE-së ndaj RMV-së.
“Unë besoj se BE duhet ta rishqyrtojë qëndrimin e saj sepse edhe BE është në krizë sot. Më parë, ishte sinonim i demokracisë, i sundimit të ligjit, por sot nuk është. Sot po përballemi me një krizë lidershipi. Ndoshta marrëdhënia midis anëtarëve të BE-së dhe vendeve kandidate si ne është e gabuar, sepse është thjesht një marrëdhënie “dëgjo dhe bëj” sepse ju jeni ata që doni të bashkoheni me ne. Rregullat janë të qarta, janë të shkëlqyera, njihen si kriteret e Kopenhagenit, por vetoja nuk është pjesë e kritereve të Kopenhagenit”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Siljanovska-Davkova tha se nëse BE-ja është për demokraci, ajo është e detyruar të respektojë edhe dokumentet e saj kushtetuese, përndryshe çdo qasje tjetër nuk është korrekte.