Bursa e Maqedonisë ka pasur vit të suksesshëm. Qarkullimi ka qenë i kënaqshëm dhe bëhet fjalë për zhvillimin e kapitalit. Në Ohër sot dhe nesër mbahet edicioni i 24-të i Konferencës Vjetore të Bursës maqedonase.
Aty do të diskutohet për sfidat e politikës monetare në kushte të pasigurisë globale, perspektivat ekonomike për rajonin, mundësitë për ofertat publike fillestare dhe zhvillimin e tregut të kapitalit përmes multifondeve dhe ETF-eve. Në program janë përfshirë edhe tema për rëndësinë e bursave të vogla, standardet e reja për raportim financiar dhe trendet në transformimin digjital.
“Indeksi kryesor MBI 10 këtë vit ka rritje prej 2,5%, por le të kujtojmë se indeksi rritet në vazhdimësi dhe për shembull, nëse e krahasojmë vlerën e tij para pandemisë në vitin 2019, është rritur për 125%, që është performancë e shkëlqyer”, tha Ivan Shteriev, drejtor ekzekutiv i Bursës së Maqedonisë.