Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha është deklaruar rreth shkeljes së hapësirës ajrore të vendin nga dronë serbë.
Pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve ilegale nga policia, Hoxha tha para mediave se kohëve të fundit ka pasur fluturime të dronëve që dyshohet që vijnë nga territori i Serbisë, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se Policia është në kontakt me KFOR-in, duke shtuar se është në vijim monitorimi për të parë se çfarë mund të bëhet.
Ndër të tjera, drejtori i Policisë tha se këta dronë paraqesin rrezik për kufijtë, por jo edhe për qytetarët.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR”, u shpreh Hoxha për EO.
“Ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë, KFOR është përgjegjësi e tyre, janë duke punuar për këtë drejtim”, tha Hoxha.
Ndërsa lajmin se dronë serbë kishte përshkuar qiellin e Kosovës e kishte dhënë ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një paraqitje në KTV.