BE-ja e njoftuar me raportet se Rusia në Serbi ka stërvitur njerëz për destabilizim të Moldavisë

Disa ditë para zgjedhjeve historike në Moldavi, në të cilat përballen forcat pro Bashkimit Evropian dhe ato pro ruse, BE-ja ka tërhequr tërheq vërejtjen për përpjekjet nga Rusia për dezinformim dhe destabilizim të Moldavisë për ta larguar atë nga rrugëtimi i integrimeve evropiane.

Sipas raporteve të shumë mediave, Rusia ka financuar dhe organizuar fushata me lajme të rreme dhe dezinformim për të dëmtuar forcat politike në këtë shtet, të cilat duan integrimin në Bashkimin Evropian. Moldavia është një vend me status kandidati për anëtarësim në BE.

Në BE thonë po ashtu se janë në dijeni edhe për raportet se Rusia, në territorin e Serbisë, ka stërvitur njerëz për të nxitur trazira në Moldavi. Por në BE nuk janë përgjigjur në mënyrë direkte në pyetjet se a do të ndikojnë këto raporte në marrëdhëniet që BE ka me Serbinë, në kohën kur Serbia edhe publikisht i falënderon shërbimet ruse të zbulimit, i quan partnere dhe shpreh gatishmëri për të rritur bashkëpunimin me to.

Kohë më parë Shërbimi i Zbulimit i Rusisë ka nxjerrë një raport, përmes të cilit ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian po përgatit trazira për të rrëzuar pushtetin në Serbi dhe se kjo “kryengritje” do të ndodhë më 1 nëntor me qëllim të “instalimit të një pushteti i cili do të ishte në shërbim të Brukselit”! Përderisa BE i ka hedhur poshtë këto pohime, qeveria e Serbisë, si dhe presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, kanë falënderuar shërbimet e Rusisë dhe kanë thënë se do të angazhohen për së afërmi me “partnerët rusë”.

Në BE këto raporte i kanë quajtur “lajme të rreme dhe propagandë dezinformuese e Rusisë”.

“Ne nuk do të përfshihemi në komentimin e propagandës së rreme, dezinformimit nga Rusia, sepse për ne kjo është vetëm një përpjekje e re, e pamoralshme, ndër shumë përpjekje të Rusisë për të përhapur informata të tilla dhe retorikë armiqësore kundër BE-së në vendet anëtare, por edhe në vendet kandidate”, ka thënë Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Ajo ka konfirmuar se BE-ja është njoftuar për raportet se shërbimet nga Rusia kanë stërvitur njerëz në territorin e Serbisë për të nxitur trazira në Moldavi.

“Po, ne jemi në dijeni për këto raporte dhe po ashtu, sipas autoriteteve të Moldavisë, këto operacione dhe trajnime kanë ndodhur në Serbi. Në këtë moment, sipas autoriteteve të Moldavisë, 74 persona janë arrestuar dhe ata po bashkëpunojnë me policinë. Besojmë plotësisht se autoritetet moldave do të jenë në gjendje të zgjidhin këtë rast”, ka thënë kjo zëdhënëse e BE-së./Koha.net