Një kamion cisternë që transportonte naftë doli nga rruga rajonale Gjevgjeli-Bogdanc këtë mëngjes, u përmbys dhe u përfshi nga flakët. Zjarri u shua për pak kohë, por rruga u mbyll për trafik, ndërsa rrjedhja e naftës vazhdonte.Shoferi pësoi lëndime të lehta, ndërsa largimi i sigurt i karburantit të derdhur është duke u zhvilluar, njoftoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov. Ai paraprakisht informoi se zjarri u shua shpejt nga zjarrfikësit, dhe për shkak të incidentit, trafiku në rrugën Gjevgjeli-Bogdanci është ndërprerë, transmeton Portalb.mk.
“Këtë mëngjes, një kamion cisternë që transportonte 25 ton naftë rrëshqiti nga rruga kryesore Gjevgjeli-Bogdanci, duke shkaktuar përmbysje, dhe gjatë përmbysjes, vetë cisterna në të cilën ishin të ruajtura këto 25 ton naftë u shpua. Nafta filloi të rrjedhë, ndërsa goditja me shumë mundësi e ndezi atë, pas së cilës u ngrit tym i zi dhe i dendur, gjë që shkaktoi ankth tek popullata lokale”, tha Angellov në një video deklaratë.
Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, zjarrfikësit nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve (NJTZ) nga Gjevgjelia ndërhynë menjëherë dhe e shuan zjarrin me shkumë speciale.

Ai informoi se zjarrfikësit e Gjevgjelisë e shuan zjarrin me ndihmën e shkumës speciale dhe theksoi se drejtuesi i automjetit nuk pësoi lëndime serioze.
“Në një bisedë me komandantin e zjarrfikësve të Gjevgjelisë, u informova se ekzistonte shkumë speciale me të cilën do të përpiqeshin të shuanin zjarrin. Ata ishin shpejt në vendngjarje, e shuan zjarrin, dhe është mirë që nafta po rrjedh në kanalin aty pranë, pikërisht pranë rrugës. Zjarrfikësit hodhën një sasi të madhe rëre në disa vende, gjë që la naftën të bllokuar në kanal. Ndërkohë, kemi kontaktuar pronarin e cisternës. Ai ka organizuar një cisternë tjetër, si dhe pompa për të nxjerrë naftën nga cisterna e përmbysur, nga e cila ende rrjedh karburant, por do të mblidhet edhe nafta që është në kanal. Pas heqjes së naftës, në vend do të hidhet rërë e imët, e cila duhet të thithë mbetjet e naftës, dhe më pas do të transportohet në një vend të sigurt”, shpjegoi drejtori i DMSH-së.
Angellov theksoi se menjëherë pasi u përmbys cisterna, në vendngjarje mbërritën pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme, ndërsa të pranishëm ishin edhe inspektorë nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore dhe Ministria e Mjedisit.