Rutte: Anëtarët mund të rrëzojnë dronët dhe aeroplanët rusë që hyjnë në hapësirën e NATO-s kur është e nevojshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mbështeti të enjten komentet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, këtë javë se vendet anëtare të NATO-s duhet të rrëzojnë dronët dhe aeroplanët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën e tyre ajrore, nëse një veprim i tillë është i nevojshëm.

“Nëse është e nevojshme. Pra, unë pajtohem plotësisht këtu me presidentin Trump: nëse është e nevojshme”, tha Rutte në një intervistë në programin “Fox & Friends” të Fox News.

Ai ka shtuar se ushtritë e NATO-s janë të trajnuara për të vlerësuar kërcënime të tilla dhe për të përcaktuar nëse mund të shoqërojnë aeroplanët rusë jashtë territorit aleat apo të ndërmarrin veprime të mëtejshme.

Kujtojmë se pas takimit të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidenti amerikan, Donald Trump shprehu admirim të thellë për rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus.

“Ne kemi respekt të madh për luftën që po bën Ukraina. Është mjaft e jashtëzakonshme”, tha ai, duke vlerësuar qëndrimin e ukrainasve.

Dhe kur u pyet nga gazetarët nëse mendon që NATO duhet të rrëzojë aeroplanët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën ajrore të NATO-s, ai tha: “Mendoj se po”.

“SHBA-ja varësisht prej rrethanave, do t’i mbështes ose jo këto aksione”, ka shtuar Trump.