Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ku 51-vjeçari Valbon Beqiraj u vra me thikë brenda një banese.
Policia ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes, 24-vjeçarin Teilor Tivari ndërsa në banesë janë gjetur disa doza kokaine.
Tivari thuhet se ka pranuar autorësinë e krimit ndërsa mësohet se para se ta godiste me thikë Beqirajn ka pasur një debat të ashpër me të.
Njoftimi i policisë
Rezulton se në banesën e 51-vjeçarit ka hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim për të blerë lëndë narkotike.
Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.