Çamëria dhe mësimi i shqipes në kohën e Mbretërisë Shqiptare

Ministria e Arsimit në vitin 1938 kishte vënë në dispozicion 1000 abetare dhe 500 libra këndimi për vitin e dytë, të cilave (për shkak të përmbajtjes) u ishin hequr fletët e shënuara nga Inspektorati i Arsimit në Janinë, pastaj 20 gramatika për vitin e tretë si dhe 10 sintaksa.

Shkëlzen HALIMI, Shkup

Më 4 dhjetor të vitit 1925, në seancën e Këshillit të Lidhjes së Kombeve, i deleguari i plotfuqishëm shqiptar mbrojti të drejtat e minoritetit shqiptar në Greqi dhe për këtë çështje Këshillit i dorëzoi një raport të gjerë. Në mbledhjen që pasoi, përkatësisht më 15 mars të vitit 1926, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve njoftoi se nga i deleguari shqiptar ishin parashtruar një numër i konsiderueshëm i ankesave.

Por, edhe përkundër argumenteve të shumta, të cilat tregonin për politikat armiqësore greke, megjithatë pozita e popullsisë shqiptare në Çamëri gjithnjë e më shumë përkeqësohej. Në këto rrethana, Qeveria Shqiptare, përmes Hil Mosit, i dërgoi një promemorie Qeverisë Greke, në të cilën përshkruhej pozita tejet e rëndë e popullsisë shqiptare në Çamëri. Ndërkohë, edhe Ministria e Punëve të Jashtme i raportonte Sekretariatit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, për pozitën e rëndë të shqiptarëve në Greqi, përkundër faktit se Qeveria Greke me nënshkrimin e traktateve ishte zotuar se minoritetit shqiptar në Greqi do t’ia sigurojë të gjitha të drejtat që i takojnë.

Për çështjen çame u diskutua në sesionin e 50-të të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, e cila u mbajt më 5 qershor të vitit 1928. Në këtë seancë, i deleguari i plotfuqishëm shqiptar, Mehdi Frashëri, foli gjerësisht mbi çështjen e shqiptarëve në Greqi, me theks të veçantë për çështjen çame.

Është për t’u theksuar fakti se nga viti shkollor 1937/38, falë përpjekjeve maksimale të Qeverisë Mbretërore Shqiptare, përkatësisht të trupit diplomatik të saj në Athinë dhe Janinë, në disa shkolla fillore në Çamëri, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën greke, nxënësve shqiptarë u qe mundësuar ta mësonin edhe lëndën e gjuhës së tyre amtare, përkatësisht të gjuhës shqipe. Deri në vitin shkollor 1938/39 gjuha shqipe mësohej në dhjetë shkolla, edhe atë: në Filat me mësuesin Abdyl Sejfo, në Gurrës me mësues Fejzo Beqirin, në Sollopi me mësues Jahja Dauti, në Smerta me mësues Abdyl Mahmut Zeqiriai, në Nista me mësues Saqe Abid Zeqeriai, në Mazerek me mësues Zejnel Hamza Çani, në Grikohor me mësues Shaban Ragip Isa, në Lopës me mësues Qamil Izeti, në Vrohona me mësues Habib Hamidi dhe në Karbunar me mësues Shefqet Osmani. Këta mësues financoheshin nga Qeveria Shqiptare, përkatësisht nga fondi i Mbretit Shqiptar, Lartmadhërisë së Tij, Zogu I.

Në një shkresë (9 shkurt 1938) të Ministrisë së Punëve të Jashtme (dokumenti është pjesë e Dosjes 106, viti 1938 dhe gjendet në Arkivin historik të Ministrisë Shqiptare për Punë të Jashtme) drejtuar ministrit fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare, Rauf Fico, lidhur me tekstet shkollore që do të përdoren për mësimin e gjuhës shqipe në Çamëri, njoftohej se Skeferis, ministri grek në Tiranë, ka deklaruar se Qeveria Greke nuk ka ndër mend të botojë libra shqip për shkollat e Çamërisë dhe se do të ishte e preferueshme në Çamëri të përdoren po ato libra shqip që përdoren në Shqipëri, por me një kusht: që të hiqen ato faqe të librave që nuk janë të nevojshme. Pala shqiptare do të vlerësojë, sado që të ky propozim i ministrit grek, Skeferis, duket praktik, megjithatë dukshëm do t’i shëmtonte librat që përdoren në Shqipëri.

“Prandaj lutemi të kini mirësin të na njoftoni ndëse me të vërtet Qeveria greke nuk do të shtypij librat në fjalë, që kështu të fillojmë me një herë botimin e tyre në mënyrën e përshtatshme”.

Një shkresë tjetër (14 shkurt 1938) të Ministrisë së Punëve të Jashtme, drejtuar Ministrisë së Arsimit, kjo e fundit njoftohet se Legata Mbretërore në Athinë ka bërë me dije se pala greke vlerëson që Abetarja dhe Libri i këndimit për nxënësit çamë të jenë po ato që përdoren në Shqipëri, por me kusht që të korrigjohen (të hiqen faqet) sipas shënimeve të Inspektoratit të Arsimit në Janinë.

“Lutemi, pra, të kini mirësin t’urdhëroni që të përgatitet një sasi e mjaftuershme prej dy librave të lartpërmendura, duke këputët fletët që duhet hequr, dhe t’i dërgohen sa më parë Konsullatës Mbretërore në Janinë”.

Edhe përkundër marrëveshjeve që nxënësit çamë në shkollat greke të kenë të drejtë ta mësojnë lëndën e gjuhës shqipe, megjithatë kjo nuk u prit mirë nga pala greke, sidomos nga mësuesit grekë, të cilët kolegët e tyre shqiptarë nuk i shikonin me sy të mirë.

Në një shkresë të Konsullatës Mbretërore në Janinë (24. 2. 1938) ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, njoftohej për problemet që kishin mësuesit shqiptarë, sidomos për ato të shkaktuara nga pala greke, e cila assesi të pajtohej me realitetin se çamët ishin shqiptarë. Në këtë shkresë tregohet se mësuesit grekë kishin filluar të shtronin pyetjen: si është e mundur që për katër muaj ta mësoni shqipen, e ka vite që nuk e mësoni greqishten?!

“Ksi lajmesh vijnë nga çdo shkollë, e sidomos nga ato rrethit të Gumenicës, por msuesit t’onë po rezervohe, me plot të drejtë, në deklaratat e tyre, sepse asht friga qi çdo ankim kish me ashprue edhe ma tepër marëdhanjet e tyne me kolegët grek. Mbi kto ankime kam nderin me Ju parashtrue nji shembëll konkret: Ditën e shtunde, më 5 vazhdues, nxanësit e shkollës së Lopsit qenë lajmue nga msuesi grek se atë pas-dreke kishin pushim e se nxanësit ishin të lirë. Mirë po krejt katundi dinte se atë ditë pritej të vinte mësuesi shqiptar, në të vërtetë ky i fundit ka ardhë me detyrë dhe nxanësit të shoqnuem prej prindve, kanë shkue në shkollë në sasi ma t’madhe se para dreke. Të janën në mëngjes msuesi greke ka manifestue zemrimin e vet duke ua heq vërejtjen nxanësve pse lajmërimi i tij nuk ka qenë respektue, e dy nxanës që janë përpjek me spjegue se “pushimin e kishin kuptue për mësimin grekisht” kanë qenë rrahë po atë ditë, pse gjoja nuk e dinin mësimin”.

Përpjekjet e diplomacisë së atëhershme shqiptare për mbarëvajtjen e kësaj nisme ishin evidente dhe në këtë drejtim veprohej me kujdes të madh, sepse ishte e qartë se palës greke nuk i pëlqente mësimi i gjuhës shqipe nga nxënësit çamë, të cilët mësonin në shkollat greke. Kjo dëshmohet edhe nga një shkresë (që mban datën 26 frorit, 1938) e ministrit fuqiplotë në Legatën Mbretërore në Athinë, Rauf Fico, i cili njofton Konsullatën Mbretërore në Janinë për takimin e tij me ministrin e Jashtëm grek, Mavrudiu, nga i cili ka marrë zotimin se tekstet shqiptare do të jenë në përdorim pa asnjë pengesë dhe se gjuha shqipe do të mësohet edhe më dy orë plus, pra gjithsej me katër orë në javë. Por, megjithatë, Fico kërkon nga Konsullata Mbretërore e Janinës që “të kujdesoheni e të kini mirësinë që të më mbani në dijeni mbi mënyrën e zbatimit të premtimeve në fjalë”.

Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme më 15 mars 1938 e njofton konsullin në Konsullatën Mbretërore të Janinës, z. Maksut Hulusi, se Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion 1000 abetare dhe 500 libra këndimi për vitin e dytë, të cilave u janë hequr fletët e shënuara nga Inspektorati i arsimit në Janinë, pastaj 20 gramatika për vitin e tretë, si dhe 10 sintaksa. Të gjitha tekstet do të dërgohen në Prefekturën e Gjirokastrës, kurse që andej, përmes përfaqësuesit të Konsullatës Mbretërore, do të dërgohen në Janinë, nga ku inspektorati i arsimit të këtij qyteti do t’i shpërndajë nëpër shkollat e Çamërisë.

Të gjithë ata që u angazhuan për mësimin e gjuhës shqipe u shpërblyen nga Fondi i Mbretit Zog. Kështu, përmes Legatës Mbretërore në Athinë, u paguan: Musa Demi me 200 franga ari në muaj, Petrit Demi – 100, Hamdi Zeqeria – 100, Taho Sejko – 100, Myftiu i Magëllëçit – 3, Myftiu i Paramithis – 30. Përmes Konsullatës Mbretërore në Janinë u paguan: Myftiu i Filatit me 200 franga ari në muaj, njëmbëdhjetë besnikët çamë secili me nga 40 franga ari dhe dhjetë mësuesit e shqipes në shkollat greke, secili me 40 franga ari në muaj. Shuma e përgjithshme vjetore e ndarë për këta individë nga Fondi i Mbretit Zog arrinte në 19.440 franga ari.

Gjatë luftës italo-greke në vitin 1940, çamët nuk u rreshtuan përkrah ushtrisë italiane, por shumica e tyre ngelën neutral. Përkundër një qëndrimi tillë, pas thyerjes së ushtrisë italiane, qeveria greke e Metaksait filloi një fushatë të egër kundër popullit shqiptar në Çamëri, duke e masakruar, burgosur e përdhunuar atë. Shumë meshkuj (nga mosha 18 e deri 70 vjeç) u arrestuan dhe u internuan në ishujt e largët të Greqisë, ndërsa popullsia që kishte ngelur në Çamëri, që përbëhej prej grave, fëmijëve e ndonjë plaku, vuante nga uria.

Një situatë e tillë në Çamëri zgjati derisa Greqia u pushtua nga ushtria e gjermane. Me ardhjen e gjermanëve dhe kthimin e të internuarve shqiptarë, gjendja në Çamëri ndryshoi. Krerët më me ndikim, në vend të hakmarrjes ndaj forcave shoviniste greke, bënë të kundërtën – zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës midis popullsisë shqiptare dhe greke. Në vjeshtën e vitit 1941, në Çamëri do të hapen shkollat e para shqiptare. Në fakt, parapërgatitjet ishin bërë shumë më herët, që nga mesi i qershorit, kur ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, emëroi “Misionin e Jashtëzakonshëm Shkolluer”, në krye të të cilit u caktua Hysni Babameto. Misioni do të studionte gjendjen faktike të arsimit fillor e të mesëm në ato treva dhe nga viti shkollor 1941/42 e deri më 1943/44 funksionuan këta shkolla fillore në gjuhën shqipe: në Filat me mësuesit Abdyl Sejko, Qani Sejko dhe Muharrem Demi, në Verselë me mësuesin Haxhi Sejko, në Arpice me mësues Tahir Demin, në Karbunarë me mësuesit Jahja Hasani dhe Abedin Sejko, në Agji me mësues Thanas Karaçollin, në Lupatër me mësues Dervish Dajakan, në Salbaq me mësues Sami Muharremin, në Picar me mësues Qani Demin, në Lopës me mësuesit Musa Demi dhe Shefqet Sejko, në Grikolmar me mësues Spiro Vllazëroj dhe në Koshë me mësues Rexhep H. Seitin.

Kjo qetësi relative zgjati deri në fund të qershorit të vitit 1944, kur forcat e kriminelit të njohur grek Napoleon Zervas, me hyrjen në rajonin e Paramithisë, filluan fushatën e egër, me të vetmin qëllim pastrimin e Çamërisë nga shqiptarët, një plagë kjo që akoma, sot e kësaj ditë, është e pashëruar…